Fansat e Adele përjetuan një emocion të madh këtë javë, pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një postim që pretendonte se këngëtarja britanike po rikthehej me një album të ri pas pesë vitesh mungesë.
Në postimin viral, artistja 38-vjeçare shfaqej duke paralajmëruar projektin me titull “35”, shoqëruar me frazën ironike: “Tani që po ju sjell muzikë të re, a do të më lini më në fund rehat?”. Mesazhi u shpërnda me shpejtësi dhe ndezi reagime të shumta nga ndjekësit e saj.
Megjithatë, entuziazmi nuk zgjati shumë. Fansat vunë re se publikimi nuk ishte bërë në profilin zyrtar të Adele dhe rezultoi të ishte një postim i rremë që kishte mashtruar mijëra përdorues online.
Këngëtarja e njohur për hitet “Skyfall” dhe “Set Fire to the Rain” vazhdon të qëndrojë larg muzikës që prej përfundimit të rezidencës së saj “Weekends with Adele” në Las Vegas, e cila u mbyll në fund të vitit 2024.
Pasi u zbulua se lajmi nuk ishte i vërtetë, shumë fansa reaguan me zhgënjim në rrjet. Disa shkruan se publiku mezi pret rikthimin e saj, ndërsa të tjerë kërkuan që “ngacmime” të tilla të marrin fund.
Deri tani, Adele nuk ka komentuar zhurmën e krijuar online rreth albumit të përfolur “35”./mxh
