Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, paralajmëroi të martën se ulja e ndihmave ndërkombëtare dhe ndryshimet klimatike po rëndojnë gjithnjë e më shumë situatën ekonomike dhe sociale në Afrikë, duke e cilësuar këtë si një “krizë solidariteti”.
Duke folur në Samitin “Africa Forward” në Nairobi të Kenias, Guterres tha se ndihma zyrtare për zhvillim po zvogëlohet pikërisht në një kohë kur nevojat janë më të mëdha se kurrë. Ai theksoi se shumë buxhete ndihmash janë shkurtuar, partneritete janë dobësuar dhe angazhime të rëndësishme janë tërhequr.
Sipas tij, ndryshimet klimatike mbeten një nga sfidat më të mëdha për kontinentin afrikan. Guterres deklaroi se, megjithëse Afrika ka kontribuar shumë pak në ngrohjen globale, ajo po përballet me pasojat më të rënda, përfshirë zhvendosjen e komuniteteve, humbjen e të korrave dhe goditjet ekonomike.
Ai shtoi se kriza globale energjetike, tregjet e paqëndrueshme të lëndëve djegëse fosile dhe fragmentimi i tregtisë po rrisin presionin fiskal dhe inflacionin në vendet afrikane, duke penguar zhvillimin ekonomik.
Guterres nënvizoi gjithashtu potencialin e madh të Afrikës në energjinë e rinovueshme. Sipas tij, kontinenti zotëron 60 për qind të potencialit më të mirë diellor në botë, por aktualisht merr vetëm 2 për qind të investimeve globale në energji të pastër. Ai tha se, me financimin e duhur, Afrika mund të prodhojë deri në dhjetë herë më shumë energji elektrike sesa ka nevojë deri në vitin 2040, tërësisht nga burime të rinovueshme.
Samiti “Africa Forward”, i organizuar nga Kenia dhe Franca, mblodhi liderë afrikanë dhe evropianë për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik, veprimin klimatik, angazhimin e të rinjve dhe reformimin e institucioneve globale./mxh