Presidenti i Kenias, William Ruto, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehën mbështetjen e tyre për përfaqësim të përhershëm të Afrikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara gjatë samitit “Africa Forward” në Nairobi.
Në fjalën e tij, Ruto deklaroi se është “e pajustifikueshme dhe e papranueshme” që një kontinent me afro 1.5 miliardë banorë dhe 54 shtete sovrane të mbetet pa përfaqësim të përhershëm në organin më të rëndësishëm të sigurisë globale.
Ai theksoi se forcimi i autonomisë strategjike të Afrikës në çështjet e paqes dhe sigurisë mbetet një domosdoshmëri, duke kërkuar reforma urgjente në strukturat globale të qeverisjes, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ruto ngriti shqetësimin edhe për mungesën e financimit të projekteve infrastrukturore në Afrikë. Sipas tij, vendet afrikane vazhdojnë të përballen me vështirësi për të financuar korridoret e transportit, sistemet energjetike, parqet industriale, rrjetet logjistike dhe strehimin e përballueshëm.
Presidenti kenian tha se problemi nuk lidhet me mungesën e kapitalit në kontinent, por me mënyrën se si perceptohet rreziku financiar për investimet në Afrikë. Ai shtoi se Afrika po ndërton një arkitekturë financiare më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të pavarur.
Nga ana tjetër, Macron deklaroi se Franca mbështet plotësisht përfshirjen e Afrikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ai kujtoi se Franca kishte mbështetur edhe anëtarësimin e përhershëm të Bashkimit Afrikan në G20, i cili u realizua në vitin 2023.
Macron tha gjithashtu se Franca dhe Kenia do të paraqesin në samitin e ardhshëm të G7 një axhendë të përbashkët të hartuar me liderët afrikanë, me synim rritjen e përfaqësimit të Afrikës në institucionet financiare ndërkombëtare si FMN-ja dhe Banka Botërore.
Samiti “Africa Forward” mblodhi në Nairobi liderë afrikanë dhe evropianë për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik, investimet, ndryshimet klimatike dhe reformimin e institucioneve globale./mxh
