Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është shprehur “jashtëzakonisht optimist” për të ardhmen e Aleancës, duke thënë se ky optimizëm lidhet edhe me rolin e presidentit amerikan Donald Trump.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Podgoricë, Rutte tha se NATO ka arritur të përmbushë objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2% të PBB-së nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë ekonomitë më të mëdha evropiane që më parë nuk e kishin arritur këtë nivel.
Ai theksoi se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe vendimet e fundit të aleancës tregojnë një NATO më të fortë dhe më të bashkuar, ndërsa po përgatitet për samitin e ardhshëm në Ankara, i cili do të fokusohet në Ukrainën dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes.
Rutte gjithashtu foli për situatën në Lindjen e Mesme, duke përmendur Ngushticën e Hormuzit dhe përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar lundrim të sigurt. Ai tha se Franca dhe Britania po udhëheqin një nismë me rreth 40 vende për të koordinuar kapacitetet ushtarake dhe detare në rajon.
Sipas tij, këto zhvillime tregojnë se vendet evropiane po reagojnë ndaj kërkesave të SHBA-së për më shumë angazhim në sigurinë globale, ndërsa NATO po përballet me sfida të përbashkëta si zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe rritja e kapaciteteve ushtarake.
Deklaratat e Rutte vijnë në një kohë tensionesh të shtuara mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, veçanërisht për çështjet e Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe shpenzimeve të mbrojtjes brenda aleancës./mxh
