Kremlini publikoi një video ku presidenti rus, Vladimir Putin, shfaqet duke drejtuar vetë makinën drejt qendrës së Moskës, ku më pas takohet me ish-mësuesen e tij dhe e fton për darkë në Kremlin.
Pamjet tregojnë Putinin në timonin e një makine luksoze ruse “Aurus Komendant”, duke mbërritur në një hotel në zonën e Arbatit në Moskë. I veshur në mënyrë të thjeshtë dhe duke mbajtur lule në dorë, ai takohet në holl me ish-mësuesen e tij, Vera Gurevich.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Gurevich ishte ftuar nga Putini në Moskë për të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj dhe kishte qëndruar në një hotel në qendër të kryeqytetit rus.
Në video shihet gjithashtu presidenti rus duke biseduar shkurt me një qytetar tjetër në hollin e hotelit, i cili kishte ardhur nga Soçi për festimet e Ditës së Fitores, ku të dy shkëmbejnë disa fjalë të shkurtra për motin në Moskë.
Pamjet e publikuara nga Kremlini theksojnë momentet jozyrtare dhe simbolike të festimeve të Ditës së Fitores në Rusi./mxh
