Në fakt, njerëzit krijojnë përshtypje për ty shumë më shpejt nga sa mendon. Madje, ndonjëherë, para se të kesh folur.
Sipas studimeve, fytyra, shprehja, qëndrimi, zëri dhe mënyra si lëviz japin sinjale të menjëhershme për mënyrën si të tjerët të perceptojnë. Jo gjithmonë është e drejtë, sigurisht, por ndodh.
Një buzëqeshje e ngrohtë është ndër gjërat që vihet re menjëherë. Jo ajo buzëqeshja e sforcuar “po po, shumë kënaqësi”, por ajo që duket e vërtetë. Një buzëqeshje e tillë të bën të dukesh më i/e afrueshme dhe më i/e qetë.
Edhe sytë kanë shumë peshë. Kontakti i mirë me sy nuk do të thotë ta shohësh dikë sikur po e merr në pyetje, por t’i japësh ndjesinë që je aty, po dëgjon dhe nuk po mendon për 14 gjëra të tjera njëkohësisht.
Zëri është një tjetër detaj që njerëzit e ndiejnë menjëherë. Një ton i qetë, i pastër dhe i matur shpesh krijon më shumë besim sesa fjalët perfekte.
Pastaj është qëndrimi. Një trup i hapur, shpatulla të relaksuara dhe një ecje e sigurt japin menjëherë përshtypjen e dikujt që është rehat me veten.
Dhëmbët e pastër dhe të shëndetshëm janë gjithashtu një nga ato detaje që nuk bërtasin, por vihen re. Nuk bëhet fjalë për buzëqeshje perfekte nga ato që shohim në Instagram, por për kujdes të përditshëm. E njëjta gjë vlen për flokët – të pastër, të rregullt.
Njerëzit të gjykojnë brenda pak sekondash dhe ja
Veshja, sigurisht, është një tjetër sinjal i shpejtë. Nuk ka rëndësi marka apo çmimi, por mënyra si të rri, nëse është e pastër, nëse i përshtatet vendit ku ndodhesh. Një veshje e thjeshtë, por i menduar, shpesh flet më shumë se një logo gjigante.
Edhe parfumi lë gjurmë. Një aromë e pastër, e lehtë, që ndihet vetëm kur dikush është afër, mund të bëjë diferencë. Por nëse parfumi hyn në dhomë pesë minuta para teje, ndoshta duhet treguar pak kujdes.
Duarve u kushtohet më shumë vëmendje nga sa mendojmë. Thonjtë e pastër, gjestet e qeta, lëvizjet natyrale gjatë bisedës krijojnë një ndjesi të këndshem. Ndërsa lëvizjet e tepërta, nervoze, mund të japin përshtypjen e ankthit edhe kur thjesht je i/e emocionuar.
Shprehjet e fytyrës janë po aq të rëndësishme. Një fytyrë që reagon natyrshëm, që tregon interes, që nuk qëndron e ngrirë, e bën bisedën më të ngrohtë. Njerëzit ndihen më mirë pranë dikujt që duket i/e pranishëm/me, jo sikur po pret të mbarojë takimi.
Dhe në fund, është energjia e përgjithshme. Ajo gjëja që nuk e përkufizon dot tamam, por e ndien: mënyra si hyn, si përshëndet, si dëgjon, si qëndron. Shpesh, është pikërisht kjo që njerëzit mbajnë mend, sepse ata mund të harrojnë çfarë u the, por rrallë harrojnë si u ndjenë kur ishin pranë teje./mxh
