Në fillim nuk e kupton menjëherë. Sepse njerëzit që nuk të kanë dashur kurrë realisht, rrallë duken si “antagonisti” në jetën tënde. Derisa, një ditë, e kupton që gjithë marrëdhënia ka funksionuar si një shtëpi shumë e bukur, por pa ngrohtësi, pa dashuri dhe pa atë ndjesinë që e bën shtëpinë të jetë shtëpi.
Sipas psikologëve, dashuria nuk matet vetëm nga fjalët apo momentet e bukura, por nga mënyra si dikush sillet vazhdimisht me ty, sidomos kur gjërat bëhen të vështira. Dhe ka disa shenja që, sipas studiuesve, tregojnë se një person mund të mos ketë qenë kurrë vërtet i përfshirë emocionalisht në lidhje.
Një nga shenjat më të forta është mungesa e respektit për kufijtë e tu. Kur “jo”-ja jote trajtohet si negociatë, kur ndihesh vazhdimisht i shpërfillur.
Një tjetër sinjal është mënyra si flasin për të ardhmen. Nëse planet e tyre tingëllojnë gjithmonë si një projekt solo dhe ti dukesh si një detaj opsional, ndoshta nuk kanë menduar kurrë seriozisht një të ardhme ku ju të dy funksiononi si ekip.
Psikologët thonë gjithashtu se dashuria shihet më qartë në krizë sesa në ditët e mira. Sepse është shumë e lehtë të jesh i pranishëm kur gjithçka shkon mirë. Por kur je keq emocionalisht, i sëmurë, i lodhur apo i thyer dhe personi tjetër zhduket emocionalisht, aty marrëdhënia fillon të tregojë fytyrën reale.
Pastaj janë ato gjërat “e vogla” që në fakt nuk janë aq të vogla: nuk mbajnë mend detajet që kanë rëndësi për ty, nuk bëjnë asnjë sakrificë minimale, nuk tregojnë interes për botën tënde.
Një tjetër shenjë që studiuesit përmendin shpesh është komunikimi sipërfaqësor. Kur marrëdhënia nuk hyn kurrë në biseda të thella, vulnerabël, intime emocionalisht. Kur gjithçka mbetet në nivelin e “çfarë do hamë për drekë?” dhe kurrë tek “çfarë po ndodh brenda teje?”.
Edhe mënyra si të prezantojnë ka rëndësi. Nëse pas shumë kohe ndihesh ende si një sekret, si dikush që mbahet larg familjes, miqve apo botës së tyre, mund të jetë sepse nuk të kanë parë kurrë si diçka afatgjatë.
Dhe ndoshta pjesa më e dhimbshme: indiferenca. Ai momenti kur kupton që trishtimi yt nuk i intereson fare, sepse mospërfillja është shpesh mënyra më e qartë që një lidhje ka mbaruar emocionalisht shumë kohë më parë.
Sigurisht, asnjë listë nuk mund të “diagnostikojë” një marrëdhënie. Njerëzit janë kompleksë, marrëdhëniet edhe më shumë. Por ndonjëherë, shenjat nuk janë aq të fshehura sa mundohemi t’i bëjmë të duken./mxh
