Ne priremi të mendojmë se me avancimin e teknologjisë, shoqëritë tona bëhen më efiçente dhe konsumojnë më pak burime. Askund nuk është ky besim më i dukshëm sot se sa te mënyra se si shumica e njerëzve e shohin inteligjencën artificiale. Ajo na paraqitet si një kapërcim i madh drejt optimizimit dhe të qenurit më produktivë, por po sikur efiçenca teknologjike, në vend që ta reduktojë konsumin e energjisë, ta rrisë atë më tepër?
I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, studiuesi Erald Kolasi iu referua asaj që nga ekonomistët dhe ekologjistët njihet si “Paradoksi i Jevons-it.” Në shekullin e 19-të, ekonomisti Ëilliam Stanley Jevons vërejti se, ndryshe nga sa pritej, përmirësimet në efiçencën e motorëve me avull nuk çuan në uljen e konsumit të qymyrit në Britani. Përkundrazi, duke qenë se kostoja e prodhimit të energjisë përmes avullit ra dhe ajo nisi të përdorej më gjerësisht, konsumi total i energjisë u rrit.
Sipas Kolasit, e njëjta dinamikë përsëritet përgjatë gjithë historisë moderne të industrisë.
“Çdo rritje madhore në efiçencë ka zgjeruar shkallën e prodhimit dhe konsumit të energjisë,” shpjegon ai, ndërsa përmend si shembuj prodhimin e çelikut dhe të plehrave kimike.
Kolasi beson se inteligjenca artificiale përbën versionin më të fundit dhe më të rëndësishëm të shfaqjes së këtij modeli. Ndërsa mjetet e ndryshme të inteligjencës artificiale shpesh asociohen me rritje të produktivitetit dhe optimizimit, thotë ai, infrastruktura e tyre fizike sjell kosto masive energjetike që zakonisht mbeten të fshehura nga publiku.
Pas sistemeve si ChatGPT, thotë Kolasi, qëndrojnë rrjetet gjigande të qendrave të të dhënave, të cilat kanë nevojë për sasi shumë të mëdha energjie elektrike që të punojnë dhe për ujë për infrastrukturën e ftohjes.
Rritja e shpejtë e infrastrukturës së inteligjencës artificiale po i shtyn shumë qeveri dhe kompani që të zgjerojnë kapacitetet e prodhimit të energjisë, përfshi centralet elektrike apo bërthamore, të dizenjuara në mënyrë specifike për të mbështetur kërkesat në rritje nga qendrat e të dhënave.
Problemi për Kolasin nuk qëndron tek progresi teknologjik në vetvete, por te ideja se efiçenca ul automatikisht presionin ndaj mjedisit. Siç argumenton ati, në të vërtetë sistemet ekonomike moderne shpesh i shndërrojnë përfitimet e efiçencës në prodhim më të madh dhe konsum akoma më të madh./et
