Milan po kalon një moment delikat në fundin e sezonit, teksa dy humbjet radhazi ndaj Sassuolos dhe Atalantës kanë ardhur në mungesë të Luka Modric.
Mesfushori kroat u dëmtua në sfidën ndaj Juventusit në “San Siro”, pas një përplasjeje me Locatellin në minutat finale të takimit. Si pasojë, Modriç pësoi frakturë te pjesa e mollëzave dhe mbeti jashtë fushave në ndeshjet e fundit të skuadrës së Allegrit.
Mungesa e tij është ndjerë në lojën e Milanit, që tani rrezikon seriozisht objektivin për një vend në Champions League. Sipas raportimeve nga Italia, 40-vjeçari dëshiron të rikthehet sa më shpejt dhe synon të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Genoas në “Marassi”.
Modric do t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit dhe nëse merr dritën jeshile, mund të jetë të paktën në stol me një maskë mbrojtëse në fytyrë. Vendimi përfundimtar do të merret nga stafi mjekësor i Milanit, ndërsa kroati synon të ndihmojë skuadrën në javët e fundit të sezonit./mxh
