Last Updated on 13/05/2026 by Kesjana
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se, ndonëse po flitet për potencial të madh në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në realitet “nuk po ndodh asgjë”. Duke folur në një intervistë për RT India, Lavrov tha se bisedimet mbi bashkëpunimin në fusha si teknologjia, energjia dhe projekte të tjera ekonomike nuk kanë prodhuar ende rezultate konkrete.
Sipas tij, “bisedat e këndshme” nuk janë përkthyer në veprime reale, ndërsa theksoi se situata aktuale mbetet e ngjashme me politikat e administratës së mëparshme amerikane.
Lavrov iu referua edhe presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se, pavarësisht rifillimit të dialogut me Moskën dhe premtimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shumica e çështjeve praktike nuk kanë ndryshuar.
Ai shtoi se sanksionet e vendosura gjatë presidencës së Joe Biden mbeten në fuqi dhe se, sipas tij, edhe administrata aktuale amerikane ka ndërmarrë masa të reja që ndikojnë ekonominë ruse.
Megjithatë, Lavrov theksoi se Moska e vlerëson faktin që është hapur një kanal dialogu mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si një zhvillim normal në marrëdhëniet ndërkombëtare./kb
