Nisuni drejt aventurës në disa nga itineraret më mbresëlënëse të planetit, nga shtigjet përgjatë brigjeve të detit deri te rrugët spektakolare malore.
Për të frymëzuar aventurën tuaj të ardhshme në natyrë, kemi përzgjedhur 25 nga itineraret më të mira për ecje në botë. Disa prej tyre mund të përshkohen brenda një dite, ndërsa të tjerat kërkojnë javë apo edhe muaj të tërë dhe janë më të përshtatshme për alpinistë dhe udhëtarë me përvojë. Ato shtrihen në vende shumë të ndryshme të globit dhe të çojnë në disa nga peizazhet më mahnitëse në botë. Disa të shpërblejnë me pamje të pakrahasueshme, ndërsa të tjerat janë aq sfiduese, sa vetë përfundimi i tyre bëhet një arritje për t’u treguar.
Lidhni kambalet, merrni çantën e shpinës dhe nisuni.
Lycian Way, Turqi
Ky itinerar i gjatë ndjek vijën bregdetare të rajonit Likya në Turqi dhe ofron pamje mahnitëse të Mesdheut, maleve të ashpra dhe rrënojave antike. Mund të përshkohet për rreth tre javë, por shumë udhëtarë zgjedhin segmente më të shkurtra. Gjatë rrugës mund të notoni në ujëra kristal të kthjellët dhe të ndaloni në qytete të vogla plot atmosferë.
Simien Mountains Trek, Etiopi
Ky itinerar kalon përmes Parkut Kombëtar Simien Mountains, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ju presin peizazhe dramatike me pllaja të larta, lugina të thella dhe një faunë e rrallë, përfshirë babunët gelada dhe ujqërit etiopianë.
Kalalau Trail, SHBA
I vendosur në ishullin havajan Kauai, ky itinerar 35 kilometra përgjatë bregdetit kërkon leje speciale. Kush arrin ta sigurojë, përshkon pesë lugina në rrugën drejt plazhit Kalalau. Shtigjet e ngushta dhe të pjerrëta e bëjnë një nga ecjet më të vështira në Hawaii, por pamjet e oqeanit dhe shkëmbinjve janë spektakolare.
Trolltunga, Norvegji
Një nga mënyrat më të bukura për të parë fjordet norvegjeze është ky itinerar sfidues që të çon drejt Trolltunga-s, ose “gjuha e trollit”, një formacion shkëmbor që del mbi humnerë dhe ofron pamje marramendëse.
Kumano Kodo, Japoni
Një nga vetëm dy rrugët e pelegrinazhit në botë të mbrojtura nga UNESCO. Ky rrjet shtigjesh antike kalon përmes maleve dhe pyjeve të gadishullit Kii, me ndalesa në tempuj dhe faltore të shenjta.
Angels Landing, SHBA
Një nga itineraret më të famshme në Parkun Kombëtar Zion. Ecja nis me një seri kthesash të pjerrëta dhe përfundon me një ngjitje përmes kabllove të fiksuara në shkëmb. Segmenti final është marramendës, por pamjet mbi luginën dhe shkëmbinjtë ranorë janë të paharrueshme.
Ngjitja në Kilimanxharo, Tanzani
Ky itinerar, që zgjat nga pesë deri në nëntë ditë, ju çon në majën më të lartë të Afrikës. Gjatë rrugës kaloni nga pyje tropikale në zona akullnajore, duke përjetuar pesë klima të ndryshme. Arritja në majë është po aq sfiduese sa edhe emocionuese.
West Coast Trail, Kanada
Ky itinerar legjendar në bregun perëndimor të ishullit Vancouver ofron pamje spektakolare të oqeanit dhe terren të ashpër. Shtegu u krijua fillimisht në vitin 1907 për të ndihmuar të mbijetuarit e anijeve të mbytura përgjatë këtij bregu të rrezikshëm.
Tour du Mont Blanc, Francë, Itali dhe Zvicër
Ky itinerar rrethon Mont Blanc-un, majën më të lartë të Alpeve, duke kaluar nëpër Francë, Itali dhe Zvicër. Përveç peizazheve alpine, ofron edhe mundësinë për të provuar kuzhina të ndryshme lokale gjatë rrugës.
Laugavegur Trail, Islandë
Ky itinerar përshkon peizazhet shumëngjyrëshe vullkanike të Islandës jugore, me burime të nxehta, lumenj akullnajorë dhe fusha me rërë të zezë. Pamjet duken sikur janë marrë nga një planet tjetër.
Overland Track, Australi
Në Tasmani, ky itinerar kalon përmes maleve të ashpra, liqeneve akullnajore dhe pyjeve tropikale antike. Kushtet e motit ndryshojnë shpejt dhe gjatë rrugës mund të shihni shumë specie të egra vendase.
Camino de Santiago, Spanjë
Një nga rrugët më të famshme të pelegrinazhit në botë. Të gjitha shtigjet përfundojnë në katedralen Santiago de Compostela në veriperëndim të Spanjës. Itinerari i plotë mund të zgjasë mbi 30 ditë.
Lebanon Mountain Trail, Liban
Shtegu i parë i gjatë në Liban kalon përmes 76 qyteteve dhe fshatrave malore, duke përshkuar peizazhe të jashtëzakonshme. Ai shtrihet nga veriu drejt jugut të vendit.
Pacific Crest Trail, SHBA
Një nga itineraret më të famshme të ecjes në distanca të gjata. Nis në kufirin SHBA-Meksikë dhe përfundon në kufirin SHBA-Kanada, duke kaluar nëpër Kaliforni, Oregon dhe Uashington. Për ta përfunduar duhen pesë deri në gjashtë muaj.
Trek to Petra, Jordani
Ky itinerar përshkon peizazhe shkretinore dhe vende historike përpara se të mbërrijë te Petra dhe tempulli i famshëm Al-Khazneh, i gdhendur në shkëmb.
Great Himalaya Trail, Nepal
Një rrjet gjigant shtigjesh përgjatë Himalajeve, që kalon përmes pyjeve, luginave alpine dhe qafave të larta malore. Itinerari ofron edhe kontakt me kulturat tradicionale të fshatrave të largëta nepaleze.
Appalachian Trail, SHBA
Një nga shtigjet më të gjata në botë vetëm për ecje. Nis në Maine dhe kalon nëpër 14 shtete amerikane. Në fundin jugor në Georgia gjendet një traditë simbolike: çizmet e udhëtarëve që kanë përfunduar itinerarin varen në një pemë.
Half Dome, SHBA
Ky itinerar në Yosemite është ndër më sfiduesit në SHBA. Segmenti final përshkohet duke u kapur pas kabllove të vendosura mbi granit. Lejet për ngjitje jepen me short.
The Narrows, SHBA
Një itinerar unik në Zion National Park, ku pjesa më e madhe e ecjes bëhet brenda ujit të lumit Virgin. Kanioni i ngushtë dhe muret e larta shkëmbore krijojnë një eksperiencë të jashtëzakonshme.
Laguna de Los Tres, Argjentinë
Ky itinerar sfidues në Parkun Kombëtar Los Glaciares ofron pamje mahnitëse të malit Fitz Roy dhe liqenit turkez Laguna de los Tres.
Inca Trail, Peru
Itinerari historik drejt Machu Picchu kalon përmes Andeve dhe zakonisht zgjat katër ditë. Përveç rrugës klasike, ekzistojnë edhe variante të tjera që kalojnë pranë akullnajave dhe pyjeve tropikale.
Ben Nevis Summit Trail, Skoci
Ky itinerar ju çon në majën më të lartë të Mbretërisë së Bashkuar. Nga lart hapen panorama spektakolare mbi Highlands skoceze.
Milford Track, Zelanda e Re
I vendosur në Parkun Kombëtar Fiordland, ky itinerar kalon përmes pyjeve të shiut, maleve të mbuluara me borë dhe ujëvarave spektakolare.
Puez-Odle Altopiano, Itali
Një itinerar panoramik në Dolomitet italiane, ku livadhet alpine dhe majat shkëmbore krijojnë peizazhe mbresëlënëse, sidomos gjatë verës kur zona mbushet me lule të egra.
Grand Canyon Rim-to-Rim, SHBA
Për ata që nuk kënaqen vetëm duke parë Grand Canyon nga sipër, ky itinerar 38 kilometra ju lejon ta kaloni kanionin në këmbë dhe të përjetoni nga afër peizazhin unik të tij./ Travel + Leisure/A.D
