Aktori dhe komediani i njohur amerikan Jamie Foxx pritet të bëhet baba për herë të tretë. Sipas raportimeve të PEOPLE, 58-vjeçari është në pritje të fëmijës së tij të parë me partneren Alyce Huckstepp.
Foxx është tashmë baba i dy vajzave: Corinne, 32 vjeçe, nga lidhja e tij me Connie Kline, dhe Anelise, 17 vjeçe, nga marrëdhënia me Kristin Grannis.
Marrëdhënia mes Foxx dhe Huckstepp u konfirmua publikisht në gusht të vitit 2023, pasi dyshja u panë duke darkuar me miq në Malibu të Kalifornisë. Megjithatë, në janar të vitit 2025 u raportua se ata ishin ndarë për shkak të angazhimeve të shumta profesionale të aktorit.
Në atë periudhë, Jamie Foxx ishte i përfshirë në projekte të rëndësishme, përfshirë publikimin e filmit “Back in Action” me Cameron Diaz dhe specialen e tij në Netflix “Jamie Foxx: What Had Happened Was …”. Burime pranë aktorit deklaruan se ai ishte shumë i zënë me punë, por njëkohësisht po kalonte një periudhë të lumtur.
Pak muaj më vonë, çifti u pa sërish bashkë. Në prill të vitit 2025 ata u fotografuan duke dalë nga restoranti Nobu në Malibu, ndërsa në tetor u panë duke kaluar kohë së bashku në Miami.
Jamie Foxx ka folur shpesh për dashurinë që ka ndaj vajzave të tij dhe rëndësinë e familjes. Në një intervistë të mëparshme, ai është shprehur se pjesa më e bukur e të qenit baba është momenti kur vajzat e thërrasin “babi” dhe lumturia që ndjen kur i ndihmon të përballojnë sfidat e jetës.
Vajzat e Foxx kanë qenë gjithashtu mbështetja e tij më e madhe në momentet e vështira. Në vitin 2023, Corinne bëri publike gjendjen shëndetësore të aktorit pas një komplikacioni serioz gjatë xhirimeve të filmit “Back in Action”. Më vonë, Foxx zbuloi se kishte pësuar hemorragji në tru gjë që çoi në goditje në tru.
Në qershor të vitit 2025, aktori u nderua me çmimin “Ultimate Icon Honor” në BET Awards, ku gjatë fjalimit emocionues falënderoi vajzat e tij, Corinne dhe Anelise, duke thënë se ato i kishin shpëtuar jetën.
Tani, me ardhjen e një fëmije të tretë në familje, duket se Jamie Foxx po përjeton një tjetër kapitull të lumtur në jetën e tij personale./mxh
