Një pediatër në Gjermani është akuzuar për 130 vepra penale seksuale kundër fëmijëve nga autoritetet gjermane. Akuzat përfshijnë përdhunim dhe abuzim seksual, shumë prej të cilave dyshohet se janë kryer në spitale gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas prokurorisë në Potsdam, mjeku 45-vjeçar punonte në klinikat Rathenow dhe Nauen në rajonin Havelland, në periferi të Berlinit, dhe dyshohet se ka kryer abuzimet midis viteve 2013 dhe 2025.
Autoritetet gjermane po hetojnë një numër të madh rastesh, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe viktima të tjera, pasi hetimet janë ende në zhvillim.
Mediat gjermane raportojnë se ai u arrestua në nëntor të vitit të kaluar, pasi një nënë denoncoi se fëmija i saj ishte abuzuar në klinikën Rathenow. Ky denoncim çoi në nisjen e një hetimi të gjerë dhe sekuestrimin e pajisjeve të shumta për ruajtjen e të dhënave.
Sipas autoriteteve, arsyeja e paraburgimit lidhet edhe me rrezikun e përsëritjes së veprave penale, ndërsa hetimet janë fokusuar në identifikimin e viktimave të tjera të mundshme.
Prokuroria gjermane po shqyrton ngritjen e procesit gjyqësor ndaj të dyshuarit, ndërsa rasti ka shkaktuar shqetësim të madh për sigurinë e pacientëve dhe standardet në sistemin shëndetësor./mxh
