Kuba po përballet me një tjetër ndërprerje masive të energjisë elektrike, ndërsa qeveria kubane deklaroi se është e gatshme të shqyrtojë një ofertë ndihme prej 100 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara. Sipas autoriteteve kubane, problemi i fundit goditi pjesën lindore të vendit, ku shtatë provinca mbetën pa energji pas një defekti të rëndë në rrjetin elektrik.
Kriza u përkeqësua edhe më shumë pasi centrali më i madh elektrik i vendit, në provincën Matanzas, pësoi avari serioze. Ministri i Jashtëm kuban, Bruno Rodríguez, deklaroi se Havana është “e gatshme të dëgjojë” detajet e ofertës amerikane dhe mënyrën e zbatimit të saj.
Oferta e SHBA u përsërit nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili kërkoi që ndihma të shpërndahet përmes Kishës Katolike dhe jo nga qeveria komuniste kubane. Ndërkohë, ministri kuban i Energjisë pranoi se vendi nuk ka më rezerva karburanti dhe nafte, duke e bërë situatën energjetike kritike.
Në Havana, qytetarët kanë protestuar kundër ndërprerjeve të gjata të energjisë, që në disa zona zgjasin më shumë se 20 orë. Banorët kanë dalë në rrugë duke goditur tenxhere dhe duke kërkuar rikthimin e energjisë elektrike.
Kuba po përjeton një nga krizat më të rënda energjetike të viteve të fundit, ndërsa autoritetet kubane fajësojnë sanksionet amerikane për situatën, ndërsa Uashingtoni akuzon qeverinë kubane për keqmenaxhim ekonomik./mxh
