Marka e njohur e Kim Kardashian, SKIMS, është përfshirë në një tjetër përballje ligjore pasi një ish-punonjës ka ngritur akuza serioze ndaj kompanisë lidhur me kushtet e punës dhe pagesat.
Sipas mediave amerikane, David Knight ka depozituar një padi në Kaliforni, ku pretendon se gjatë kohës që ka punuar në kompani, nga tetori deri në dhjetor të vitit 2025, nuk ka marrë kompensimin e duhur për orët shtesë të punës. Ai pohon se punonjësit kanë punuar përtej limiteve ligjore ditore dhe javore pa u paguar sipas rregullave.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë thuhet gjithashtu se stafit i janë mohuar pushimet e detyrueshme gjatë orarit të punës dhe se kompania nuk ka respektuar plotësisht standardet minimale të pagesës. Knight pretendon edhe se pas largimit nga puna nuk i janë likuiduar të gjitha detyrimet financiare.
Ish-punonjësi kërkon që rasti të trajtohet si padi kolektive, duke lënë të kuptohet se të njëjtat praktika mund të kenë prekur edhe persona të tjerë të punësuar nga SKIMS.
Megjithatë, kompania ka reaguar menjëherë duke mohuar çdo akuzë. Përfaqësues të SKIMS janë shprehur se pretendimet janë të pabazuara dhe se kompania respekton rregullat e punësimit dhe legjislacionin e Kalifornisë.
Kim Kardashian nuk figuron personalisht në procesin gjyqësor, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata në vijim./mxh
