Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se bashkimi i votave mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Rezolutën e Integrimit Europian erdhi si pasojë e presionit të ambasadorëve të Bashkimit Europian ndaj opozitës.
Në një lidhje për emisionin “Frontline” në Report Tv me gazetaren Marsela Karapanço, Spahiu deklaroi se miratimi i rezolutës me 114 vota pro përbën një sinjal pozitiv për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas tij, me këtë dakordësi politike është ezauruar një nga kritikat kryesore që komisionerët europianë kanë adresuar vazhdimisht në raportet për Shqipërinë, që lidhet me mungesën e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës.
“Bashkimi i votave mes PS dhe PD për rezolutën është një lajm i mirë, sepse ezaurohet një nga vërejtjet dhe rekomandimet për të cilat komisionerët kanë qenë kritikë në raportet e fundit, që ishte mungesa e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës, krijimi i hapësirave për opozitën dhe heqja dorë nga proceset bllokuese apo të dhunshme”, u shpreh Spahiu.
Ai shtoi se, edhe pse marrëveshja mund të jetë arritur “me hir apo me pahir”, ndikimi i ambasadorëve të BE-së ka qenë vendimtar në këtë proces.
Sipas Spahiut, deklarata kritike e ambasadorëve europianë ndaj kreut të opozitës Sali Berisha, pas sulmeve të këtij të fundit ndaj ambasadorit Silvio Gonzato, ka ushtruar presion pozitiv mbi Partinë Demokratike për të mbështetur rezolutën.
“Mendoj se ky presion ka qenë pozitiv dhe e ka detyruar opozitën të ndërmarrë një akt pozitiv në drejtim të procesit të integrimit europian”, deklaroi Spahiu./A.D
