Çfarë ndodhi me Xhorxh Mallorin dhe partnerin e tij të ngjitjes, Andru Irvinin, të cilët u zhdukën në shpatet e Everestit pasi u përpinë nga një stuhi dëbore më 8 qershor 1924? A arritën vallë në “çatinë e botës” përpara se të vdisnin, apo mali i ndaloi pak hapa larg majës?
Misteri mbetet ende i pazgjidhur. Askush nuk e di me siguri nëse dy alpinistët arritën majën dhe më pas humbën jetën gjatë zbritjes. As zbulimi i trupit të Mallorit në vitin 1999, në lartësinë 8250 metra, nga alpinisti amerikan Konrad Anker, nuk solli prova përfundimtare. Kështu, ekspedita e fundit tragjike e Mallorit dhe Irvinit vazhdon të mbetet një nga enigmat më të mëdha në historinë e alpinizmit.
Së fundmi, disa letra të dixhitalizuara janë vënë në dispozicion të publikut. Tre prej tyre u gjetën në xhaketën e trupit të Mallorit dhe hedhin dritë mbi jetën e tij private, aventurat dhe mendimet e një njeriu që jetoi mes luftës, idealizmit dhe sfidës së maleve të pamëshirshme.
Përpjekja e parë
Gjithçka nisi më 18 maj 1921, kur katër alpinistë – Harold Rejbërn, Aleksandër Kelas, Xhorxh Mallori dhe Gaj Bullok – së bashku me katër shkencëtarë, u nisën nga Darxhelingu drejt Himalajeve. Ekspedita drejtohej nga koloneli Çarls Hauard-Bëri dhe do të hynte në histori si përpjekja e parë për të pushtuar Everestin, malin më të lartë në botë me 8848 metra mbi nivelin e detit.
Mes pjesëmarrësve ndodheshin natyralisti dhe mjeku Sendi Uollaston, gjeologu Aleksandër Heron, si dhe hartografët Henri Morshed dhe Eduard Uiler. Ishte një ndërmarrje jo vetëm sportive, por edhe shkencore e gjeografike.
Pengesa teknike dhe burokratike
Ekspedita, e organizuar nga Shoqëria Mbretërore Gjeografike dhe Klubi Alpin Britanik, kishte kërkuar muaj të tërë përgatitjesh teknike. Por po aq vendimtare ishte puna diplomatike britanike, e cila në dhjetor 1920 arriti të siguronte lejen për të kaluar në territorin tibetian, autorizim i dhënë nga vetë Dalai Lama.
Në atë kohë, Everesti ishte ende një territor pothuajse i panjohur për europianët dhe çdo hap drejt tij kërkonte jo vetëm guxim fizik, por edhe negociata politike.
Humbjet e para
Pasi ekspedita kaloi lartësinë 5000 metra, Aleksandër Kelasi u rrëzua dhe vdiq, ndoshta nga një atak në zemër. Ishte 6 qershori i vitit 1921. Ai u varros me një ceremoni të thjeshtë në Himalaje dhe grupi vazhdoi rrugën.
Mallori dhe partneri i tij Gaj Bullok arritën, pas disa përpjekjesh, të ngjiteshin deri në 7000 metra, në Qafën Veriore të Everestit. Por erërat e forta dhe temperaturat ekstreme i detyruan të tërhiqeshin. Pas kësaj do të pasonin edhe dy ekspedita të tjera, në vitet 1922 dhe 1924.
Shansi i fundit
Xhorxh Mallori ishte i vetmi alpinist që mori pjesë në të tria ekspeditat: në 1921, 1922 dhe 1924. Në qershorin e vitit 1924, ai u nis edhe një herë drejt majës së Everestit, këtë herë me Andru Irvinin.
Të dy u panë për herë të fundit më 8 qershor 1924, rreth orës 12:50, pasi kishin lënë kampin në lartësinë 8170 metra. Pak më vonë u zhdukën mes reve dhe stuhisë së dëborës. Që nga ajo ditë, askush nuk i pa më të gjallë.
Letrat që zbulojnë njeriun pas legjendës
Sot, përmes arkivit dixhital të Kolegjit “Magdalen” në Universitetin e Kembrixhit, ku Mallori kishte studiuar histori, publiku mund të lexojë korrespondencën e tij personale.
Më prekëset janë letrat drejtuar bashkëshortes së tij, Ruthit. Në to ai rrëfen ëndrrën për të pushtuar Everestin, vështirësitë e ekspeditave dhe pasigurinë e madhe për suksesin. Në letrën e fundit, shkruar pak para ngjitjes fatale, Mallori i shkruan gruas së tij se shanset për ta arritur majën janë “një në pesëdhjetë”.
Por letra më dramatike lidhet me ekspeditën e vitit 1922, kur tetë sherpa himalajanë humbën jetën nga një ortek. Fjala “sherpa” do të thotë “njerëzit e Lindjes” (“shar” – lindje, “pa” – njerëz). Tragjedia e rëndoi Mallorin për gjithë jetën dhe ai nuk reshti kurrë së ndieri faj për humbjen e tyre.
Edhe sot, më shumë se një shekull më vonë, Everesti vazhdon ta ruajë sekretin e tij më të madh: a e preku vallë Xhorxh Mallori majën e botës, përpara se mali ta merrte përgjithmonë?
Përgatiti: L.Veizi
