Nga Leonard Veizi
Thjesht ka shumë pak filma që mund t’ia kalojnë në garë kryeveprës së Sergio Leones. Sepse vetëm në një film ai ka mundur të përmbledhë gjithçka që e bën kinemanë një medium kaq tërheqës…
…“Once Upon a Time in America” i cili në shqip vjen: “Na ishte një herë Amerika” nuk është thjesht një film gangsterësh; ai është një univers i mbyllur kujtese, faji dhe kohe të humbur, ku çdo imazh duket se bart peshën e një epoke të tërë.
Filozofia e kuadrit
I realizuar në vitin 1984 nga regjisori italian Sergio Leone, filmi shquhet për ambicien e tij epike dhe për mënyrën se si e shndërron historinë e krimit në një reflektim filozofik mbi jetën njerëzore. Në qendër të tij qëndrojnë temat e miqësisë së fëmijërisë, dashurisë së pamundur, lakmisë, tradhtisë dhe shkatërrimit moral, të gjitha të vendosura në sfondin e ngritjes së botës mafioze në Amerikë.
Sot, filmi konsiderohet ndër veprat më të rëndësishme të zhanrit gangster. Revista “Sight & Sound” në vitin 2002 e renditi mes filmave më të vlerësuar të 25 viteve të fundit, ndërsa “Time Out” në vitin 2015 e kishte vendosur në vendin e nëntë të filmave më të mirë gangsterë të të gjitha kohërave. Edhe “The Guardian”, në vitin 2021, e cilësoi si një nga katër filmat më të mëdhenj mafiozë të realizuar ndonjëherë.
Produksioni
“Na ishte një herë Amerika” është filmi i fundit i Sergio Leones para vdekjes së tij, pesë vite më vonë, dhe vepra e parë e tij kinematografike pas një pauze 13-vjeçare. Ai përmbyll gjithashtu trilogjinë e famshme “Once Upon a Time”, së bashku me “Na ishte një herë në Perëndim” prodhim i vitit 1968 dhe “Duck, You Sucker!” prodhim i vitit 1971.
Realizimi u drejtua nga Sergio Leone, ndërsa skenari u shkrua nga Leonardo Benvenuti, Piero De Bernardi, Enrico Medioli, Franco Arcalli, Franco Ferrini dhe vetë Leone. Filmi bazohet në romanin “The Hoods” të Harry Grey. Kamera është vepër e Tonino Delli Colli, ndërsa muzika e paharrueshme mban firmën e Ennio Morricone-s. Në role kryesore interpretojnë Robert De Niro, James Woods, Elizabeth McGovern, Joe Pesci dhe Burt Young.
Fillimisht Leone kishte parashikuar një projekt monumental me dy filma treorësh, më pas një version të vetëm prej 269 minutash (rreth 4 orë e 29 minuta). Presioni i distributorëve e detyroi ta reduktonte në 229 minuta (3 orë e 49 minuta), ndërsa versioni amerikan u shkurtoi edhe më tej në 139 minuta (2 orë e 19 minuta), duke ndryshuar edhe rendin narrativ pa miratimin e regjisorit.
Ngjarja
Filmi ndjek pesë dekada të jetës së katër gangsterëve në New York, miq të fëmijërisë që rriten brenda krimit dhe dhunës, por që ruajnë një lidhje të ndërlikuar besnikërie mes tyre. Kur kjo lidhje thyhet – ose besohet se është thyer – njëri prej tyre mbetet i përndjekur nga faji gjatë gjithë jetës, derisa e vërteta e vonuar e përmbys gjithçka: ai nuk ishte tradhtari, por i tradhtuari.
Rrëfimi hapet me dy skena të forta dhune dhe zhvendoset menjëherë në një strofkë opiumi, ku protagonisti kërkon të arratiset nga e kaluara e tij. Zilja e telefonit që bie pa pushim bëhet simbol i një ndërgjegjeje që nuk gjen qetësi.
Narrativa është e ndërtuar mbi lëvizje të vazhdueshme në kohë. Përmes syve të Noodles-it (Robert De Niro), një gangster hebre nga New York-u, filmi rindërton jetën e tij të shënuar nga ëndrra të thyera, zgjedhje të gabuara dhe një përpjekje të pafund për shlyerje.
Leone luan me strukturën kohore, duke lëvizur mes viteve 1920 dhe 1960, duke e bërë kohën vetë një personazh të padukshëm. Në këtë univers, e kaluara nuk është kujtim i largët, por një plagë e hapur që nuk mbyllet kurrë.
Krimi, në këtë film, nuk është thjesht akt, por gjendje ekzistence. Edhe kur shoqëria ndryshon – nga epoka e Prohibicionit deri në industrializimin e mëvonshëm – personazhet mbeten të ngujuar në ciklin e tyre të dhunës, fajit dhe tradhtisë.
Objekte të thjeshta si ora e Noodles-it apo rikthimi i tij në opium marrin funksion simbolik: ato përfaqësojnë përpjekjen e dëshpëruar për të ndalur kohën. Por koha, në universin e Leones, është e pakthyeshme.
Personazhet femra, Debora dhe Eve, shfaqen si figura të një dashurie të pamundur ose të fragmentuar. Debora përfaqëson ëndrrën për një jetë jashtë krimit, por edhe refuzimin e saj, ndërsa Eve mishëron një marrëdhënie të ftohtë dhe të largët, ku dashuria nuk arrin kurrë të bëhet e plotë.
Kulmi dramatik i filmit vjen në përballjen mes Noodles-it dhe Max-it (James Woods), mikut të tij të dikurshëm, i cili kërkon të vritet për të shpëtuar nga vuajtja. Refuzimi i Noodles-it për të kryer aktin e hakmarrjes përbën një nga momentet më të rëndësishme morale të filmit: hakmarrja nuk sjell çlirim, por boshllëk.
Epilogu
“Na ishte një herë Amerika” mbetet një meditim i thellë mbi kohën, kujtesën dhe iluzionin e zgjedhjeve njerëzore. Më shumë se një film gangsterësh, ai është një elegji për jetët e humbura dhe ëndrrat e papërmbushura, një vepër ku Sergio Leone e shndërron historinë kriminale në një poemë vizuale mbi dështimin e kujtesës dhe pamundësinë për të shpëtuar nga e kaluara.
