Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka deklaruar se negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po përballen me “mungesë besimi”, duke theksuar se Teherani kërkon kushte të qarta dhe të përcaktuara saktë përpara çdo marrëveshjeje të mundshme.
Ai i bëri këto komente në Nju Delhi, ku po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të BRICS, i organizuar nga India dhe ministri i Jashtëm Subrahmanyam Jaishankar, me pjesëmarrjen edhe të homologëve si ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Araqchi u shpreh se Uashingtoni nuk ka arritur objektivat e tij përmes mjeteve ushtarake dhe nuk do t’i arrijë as në tryezën e negociatave pa një “zgjidhje fitore për të dyja palët”. Sipas tij, mesazhet kontradiktore nga SHBA kanë rritur dyshimet e Teheranit mbi qëllimet dhe seriozitetin amerikan.
Megjithatë, ai shtoi se Irani është i gatshëm të ecë përpara nëse sheh vullnet për një marrëveshje “të drejtë dhe të balancuar”.
Në të njëjtën kohë, ministri iranian deklaroi se të gjitha anijet mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, përveç atyre që janë në luftë me Iranin, duke shtuar se kalimi duhet të koordinohet me marinën iraniane./MXH
