Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, deklaroi se “kjo është një situatë që nuk mund të lejohet”, pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë me dronë në hapësirën ajrore mbi rajonin e kryeqytetit Helsinki.
Autoritetet finlandeze bënë të ditur se aktiviteti i dyshuar me dronë nuk përbënte më rrezik dhe situata po kthehej gradualisht në normalitet, ndërsa aeroporti i Helsinkit u rihap pas një ndërprerjeje të përkohshme.
Më herët gjatë ditës, Shërbimi i Shpëtimit i qytetit kishte paralajmëruar rreth 1.8 milionë banorë të rajonit Uusimaa, që përfshin kryeqytetin, të qëndronin brenda banesave për arsye sigurie, derisa situata të qartësohej.
Forcat e armatosura finlandeze ngritën në ajër avionë luftarakë dhe aktivizuan shërbimet emergjente për të monitoruar dhe kontrolluar situatën.
Ndërkohë, Finlanda dhe vendet baltike fqinje kanë raportuar kohët e fundit disa incidente të ngjashme me dronë, të cilët dyshohet se kanë devijuar nga sulme të lidhura me luftën në Ukrainë, por autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse rasti i fundit lidhet me to./MXH
