Last Updated on 15/05/2026 by Monika
Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar situatën politike në Britaninë e Madhe, duke thënë se kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me vështirësi serioze dhe se mbijetesa e tij politike varet nga mënyra si menaxhon çështjet e emigracionit dhe energjisë.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump kritikoi politikat energjetike të qeverisë britanike, duke i bërë thirrje Londrës të rrisë prodhimin e naftës në Detin e Veriut dhe të ndalojë, siç u shpreh ai, varësinë nga energjia e erës.
Ai tha se Britania ka rezerva të mëdha nafte, por sipas tij po i shfrytëzon në mënyrë të pamjaftueshme, ndërsa vazhdon të importojë energji nga Norvegjia.
Në deklaratën e tij, Trump u shpreh gjithashtu se Starmer duhet të forcojë kontrollin mbi emigracionin dhe paralajmëroi se përndryshe situata politike e kryeministrit britanik mund të bëhet “shumë e vështirë”.
Megjithatë, presidenti amerikan shtoi se nuk kërkon dorëheqjen e Starmer, duke e përshkruar atë si “një njeri të mirë”, por duke theksuar se nuk pajtohet me disa nga politikat e tij.
Komentet e Trump vijnë në një moment sfidash të brendshme politike për kryeministrin britanik pas rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale të fundit./mxh
