Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar ashpër median gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, duke akuzuar disa prej mediave më të mëdha ndërkombëtare për raportim të pasaktë dhe “të rremë”.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Trump reagoi ndaj pyetjeve mbi një mundësi të rifillimit të bombardimeve ndaj Iranit, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kishin arritur “fitore të plotë ushtarake” në operacionet e mëparshme. Ai deklaroi se sipas tij janë shkatërruar forcat detare, ajrore dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit, si dhe një pjesë e drejtuesve ushtarakë.
Presidenti amerikan akuzoi gazetarin e The New York Times për raportim “tradhtar”, pas pyetjeve mbi situatën në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet ushtarake.
Në të njëjtin diskutim, Trump sulmoi edhe transmetuesin britanik BBC, duke e quajtur “fake” dhe duke pretenduar se kishte manipuluar materiale të tij të mëparshme, përfshirë një fjalim të vitit 2021.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një kohë tensionesh të larta politike dhe debati të fortë mbi rolin e mediave në raportimin e konflikteve ndërkombëtare dhe operacioneve ushtarake të SHBA-së./mxh
