Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj kompanive kineze që blejnë naftë iraniane, duke thënë se vendimi do të merret në ditët në vijim.
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, Trump tha se çështja është diskutuar dhe se administrata e tij po vlerëson hapat e ardhshëm në lidhje me politikën e sanksioneve ndaj Iranit dhe partnerëve të tij tregtarë.
Në të njëjtën dalje publike, presidenti amerikan komentoi edhe propozimet e fundit të Iranit për programin bërthamor, duke u shprehur se i shqyrton ato me kujdes dhe se nuk pranon marrëveshje që nuk përmbajnë garanci të forta dhe afatgjata.
Trump tha gjithashtu se një pezullim 20-vjeçar i programit bërthamor iranian do të ishte i pranueshëm, por vetëm nëse ai do të ishte “real dhe i verifikueshëm”.
Në lidhje me kapacitetet raketore të Iranit, ai kritikoi raportimet e mediave ndërkombëtare, duke përfshirë The New York Times, duke i quajtur “fake news” dhe duke pretenduar se një pjesë e madhe e infrastrukturës raketore iraniane është dëmtuar rëndë.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment tensionesh të larta diplomatike rreth sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe negociatave për programin bërthamor të Teheranit./mxh
