Politologu Afrim Krasniqi ka zbuluar detaje nga takimi mes liderit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe ish-presidentit shqiptar Ramiz Alia në vitin 1991, duke treguar se Rugovës iu bënë dy kërkesa politike gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj në A2CNN, Krasniqi tha se Rugova kishte ardhur në Shqipëri me synimin për të kërkuar mbështetje konkrete për Kosovën, por sipas tij, përgjigjja që mori nga Tirana zyrtare ishte krejt tjetër.
“Kur Ibrahim Rugova erdhi në Shqipëri, kërkoi që Shqipëria ta ndihmojë Kosovën dhe të shndërrohej në një avokat real me kapacitetet e shtetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Ramiz Alia, në takimin e parë, në shkurt të vitit 1991, i kërkoi krejt tjetër gjë Rugovës”, u shpreh Krasniqi.
Sipas politologut, Alia i bëri Rugovës dy kërkesa specifike: të mbështeste stabilitetin politik dhe elitën drejtuese në Tiranë, si dhe të ushtronte ndikim ndaj opozitës së sapokrijuar për të zbutur protestat.
“I kërkoi dy gjëra. Së pari, përshtatuni ju dhe na përkrahni stabilitetin dhe elitën politike të Tiranës; e dyta, ushtroni presion te opozita e re që ajo të heqë dorë nga protestat dhe t’i përshtatet sistemit”, deklaroi ai.
Krasniqi shtoi se edhe opozita shqiptare e kohës kishte kërkuar mbështetjen e Rugovës në kahun e saj, duke tentuar që politika e Kosovës të përfshihej në konfliktet e brendshme politike të Shqipërisë.
“Ndërsa opozita i kërkoi Rugovës të ushtronte presion në krahun tjetër. Pra, përpjekja e liderëve tanë politikë ishte ta përfshinin politikën e Kosovës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tona”, tha Krasniqi.
Sipas tij, strategjia e Rugovës ka qenë gjithmonë që Kosova të mos shndërrohej në objekt rivaliteti politik në Shqipëri.
“Këtë e pamë në 1991/1992, në 1996/1997, kur ishte e djathta që i krijoi probleme Kosovës duke u munduar ta fusë në zhvillime në Serbi; kur e majta erdhi në Shqipëri e injoroi Rugovën, duke tentuar të krijojë aleanca me grupe të tjera politike në Kosovë”, u shpreh ai.
Politologu solli në vëmendje edhe episodin e samitit të Kretës, ku sipas tij, Shqipëria e përjashtoi Kosovën nga procesi vendimmarrës, ndërsa theksoi se situata ndryshoi pas legjitimimit të Rugovës si president i Kosovës.
“Kur Rugova u legjitimua si President i parë i Kosovës, krijoi një lloj ekuilibri të ri politik dhe ironia është se të gjithë aktorët u bashkuan për t’i dhënë lamtumirën dhe kuptuan që kanë gabuar”, tha Krasniqi.
Më tej, ai shpjegoi edhe arsyen pse Rugova mbetet një nga figurat më të respektuara shqiptare në Perëndim.
“Liderët politikë shqiptarë janë kampionë të sharjeve dhe denigrimit të tjetrit. Zoti Rugova kurrë nuk ka dhënë deklarata ndaj asnjë lideri politik të Shqipërisë. Ka pasur gjithmonë një qasje dialogu, respekti dhe sjelljeje institucionale”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se ky model i mungon ende politikës shqiptare./A.D
