Iraku eksportoi vetëm 10 milionë fuçi naftë nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit gjatë muajit prill, nga rreth 93 milionë fuçi në muaj para shpërthimit të luftës në Iran, njoftoi Ministri i ri i Naftës i Irakut, Basim Mohammed, në një konferencë për shtyp të shtunën, më 16 maj.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka ndikuar edhe në eksportet e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara dhe Kuvajtit, duke çuar çmimet e naftës në rritje të ndjeshme.
Sipas ministrit, Iraku ka përdorur alternativa për të vazhduar eksportet, duke rritur pjesërisht prodhimin nga porti i Basrës drejt Kirkukut dhe duke shfrytëzuar naftën e destinuar për rafineritë, rreth 200,000 fuçi në ditë, të cilat po dërgohen në Portin e Ceyhanit.
“Ne kemi një plan për të rritur këtë sasi në 500,000 fuçi në ditë nëpërmjet Portit të Ceyhanit. Shpresojmë që kompanitë të kthehen dhe të rifillojnë prodhimin për të siguruar volumin e eksporteve,” tha Ministri Mohammed.
Aktualisht, Iraku prodhon 1.4 milionë fuçi në ditë. Ministri shprehu shpresën se eksportet do të rriten kur të përmirësohet situata në Ngushticën e Hormuzit dhe kur të lehtësohen kufizimet e OPEC-ut, duke ecur drejt objektivit të qeverisë për pesë milionë fuçi në ditë./mxh
