Last Updated on 16/05/2026 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi për deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë një konferencë të tij në Talin të Estonisë. Berisha shkruan në reagimin e tij se Rama krahasoi shqiptarët me talebanët terroristë.
Sipas kryedemokratit, kjo deklaratë e Ramës është krahasimi më i keq që mund t’i bëhet kombit shqiptar në hapësirën euroatlantike.
“Një deklaratë skandaloze! Dje Edi Rama krahasoi shqiptarët me talebanët terroristë. Në një akt fyerje dhe poshtërimi për çdo shqiptar, Edi Rama dje në një konferencë në Talin për t’u dukur interesant u shpreh se shqiptarët janë talebanët e perëndimit. Kjo është paraqitja më negative në rrafshin politik, kulturor por dhe fetar që mund t’iu bëhet shqiptarëve, por edhe shërbimi më i keq që mund t’i bëhet kombit tonë në hapësirën euroatlantik duke krahasuar shqiptarët, me anëtarë të një organizate famëkeqe terroriste, siç janë talebanët! Turp dhe vetëm turp”, thuhet në postimin e Berishës.
Këto deklarata, kreu i qeverisë Edi Rama, i bëri gjatë vizitës së tij në Estoni, në panelin hapës të Konferencës “Lennart Meri”, një nga forumet ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe të ardhmen e Europës.
Rama tha se orientimi i Shqipërisë drejt NATO-s mbetet i palëkundur, ndërsa bëri një batutë, duke thënë se shqiptarët janë “talebanë perëndimorë”.
“Shqiptarët janë talebanë perëndimorë. Çfarë do të thotë kjo? Ne jemi me Aleancën Transatlantike deri në fund, çfarëdo që të ndodhë”, tha Rama./mxh
