Last Updated on 17/05/2026 by EL
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se gjatë kësaj të diele pritet të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, në fokus të së cilës do të jenë zhvillimet e fundit lidhur me Iranin dhe situata e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Netanyahu u shpreh se do të dëgjojë fillimisht përshtypjet e Trump nga udhëtimi i tij në Kinë, por la të kuptohet se diskutimi do të përfshijë edhe çështjen iraniane, mes spekulimeve për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak.
“Sytë tanë janë të hapur edhe ndaj Iranit. Do të flas sot me mikun tonë, Presidentin Trump, siç bëjmë çdo disa ditë. Sigurisht që do të dëgjoj për udhëtimin e tij në Kinë dhe ndoshta edhe për çështje të tjera. Ka shumë mundësi përpara nesh dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, deklaroi Netanyahu.
Telefonata mes dy liderëve vjen në një moment kur raportimet ndërkombëtare flasin për rritje të tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Sipas mediave të huaja, administrata amerikane është e zhgënjyer nga qëndrimi i Teheranit, veçanërisht pas refuzimit për të hequr dorë nga ambiciet bërthamore dhe zhvillimeve që lidhen me ngushticën strategjike të Hormuzit. /et
