Last Updated on 17/05/2026 by EL
Lugina e Valbonës, ndonëse nën kushte moti me reshje të dendura shiu, ka çelur zyrtarisht të shtunën sezonin turistik 2026. Bashkia e Tropojës synon që këtë vit të shënojë një tjetër rritje të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj në Alpet Shqiptare, duke e kthyer Valbonën në një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit malor në rajon.
Ceremonia për hapjen e sezonit u bë e mundur nga Këshilli i Qarkut Kukës. Kryetari Astrit Dobrushi tha se Lugina e Valbonës tashmë është një markë e rëndësishme e turizmit malor në qarkun e Kukësit dhe se për këtë arsye Këshilli i Qarkut mbështet aktivitete të tilla.
Në çeljen e sezonit kanë mbërritur edhe turistët e parë. Mes tyre ishte një çift emigrantësh kosovarë, të cilët prej vitesh jetojnë në Zvicër. Ata vizitonin për herë të parë Valbonën dhe u shprehën të impresionuar nga natyra, pastërtia dhe mikpritja, ndërsa sugjeruan që të ketë më shumë investime në zonë.
Në ceremoninë e hapjes së sezonit u nderuan me mirënjohje dhe medalje dy “dallëndyshet” e para të turizmit në Valbonë, të cilat me ngritjen e bujtinave të para nisën rrugëtimin e turizmit malor në Luginën e Valbonës.
Punimet artizanale të grave dhe vajzave tropojane u ekspozuan për vizitorët e parë, duke sjellë në vëmendje traditën dhe kulturën e zonës.
Bashkia e Tropojës shpreson që sezoni turistik 2026 të sjellë një numër më të lartë turistësh krahasuar me vitin 2025, kur Valbona dhe Alpet Shqiptare u vizituan nga mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj.
Atmosfera festive e hapjes së sezonit turistik vijoi edhe në qytetin e Bajram Currit. Qyteti u përfshi nga një atmosferë e veçantë mbrëmjen e së shtunës, ku performuan “12 Tupanxhinjtë e Tropojës”./et
