Qytetarë iranianë reaguan këtë të hënë ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, duke deklaruar se Teherani duhet të qëndrojë i palëkundur përballë presionit të Uashingtonit.
Në rrugët e Teheranit u shfaqën pankarta me imazhe të komandantëve iranianë dhe slogane kundër Shteteve të Bashkuara, ndërsa qytetarët shprehën mosbesim ndaj përpjekjeve diplomatike amerikane.
Një banor i Teheranit deklaroi se kërcënimet dhe thirrjet për negociata nga Trump synojnë dobësimin e forcave ushtarake dhe diplomacisë iraniane.
Sipas tij, Irani ka bërë shumë sakrifica dhe nuk duhet të bëjë kompromis përballë presionit amerikan.
Një tjetër qytetar tha se negociatat kanë kuptim vetëm me një palë serioze dhe të besueshme, duke akuzuar SHBA-në se është tërhequr më parë nga marrëveshjet me Iranin.
Reagimet vijnë pasi Donald Trump paralajmëroi të dielën Iranin që të veprojë shpejt për një marrëveshje, duke shkruar në rrjetin “Truth Social” se “koha po mbaron”.
Më shumë se pesë javë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, palët mbeten larg një marrëveshjeje, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës dhe gazit në botë.
Uashingtoni kërkon që Teherani të çmontojë programin e tij bërthamor dhe të heqë kontrollin mbi ngushticën, ndërsa Irani kërkon kompensim për dëmet e luftës dhe fundin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë devijuar dhjetëra anije tregtare për të zbatuar bllokadën ndaj Iranit.
Teherani ka paralajmëruar se nuk do të rihapë Ngushticën e Hormuzit derisa SHBA të heqë bllokadën, ndërsa Trump ka kërcënuar me rifillim të sulmeve nëse nuk arrihet një marrëveshje./MXH
