Radhë të gjata u krijuan para dyqaneve të markës Swatch në Gjermani, pas daljes në treg të koleksionit të ri të orëve të realizuar në bashkëpunim me prodhuesin luksoz Audemars Piguet.
Në qytetin e Këlnit, dhjetëra persona pritën jashtë dyqanit edhe pse në hyrje ishte vendosur një njoftim se dyqani ishte mbyllur për arsye sigurie publike.
Ndërkohë në Mynih, modelet e reja të orëve ekspozoheshin në vitrinë në disa ngjyra, por klientëve u thuhej se produkti ishte shitur plotësisht.
Modeli “Royal Pop” i Swatch doli në shitje më 16 maj dhe ka shkaktuar interes të madh në shumë vende të botës, duke sjellë radhë të gjata dhe përplasje mes blerësve.
Në Milano, pamjet filmike treguan persona që përlesheshin jashtë një dyqani Swatch gjatë lançimit të koleksionit.
Orët kombinojnë stilin pop-art të viteve ’80 të Swatch me dizajnin karakteristik tetëkëndor të Audemars Piguet dhe shiten me çmime nga 400 deri në 420 dollarë, shumë më lirë se modelet luksoze të Audemars Piguet që kushtojnë mijëra dollarë.
Kjo ka bërë që shumë blerës t’i rishesin menjëherë online me çmime shumë më të larta.
Një model i quajtur “Royal Pop Huit Blanc” ishte listuar për shitje në një platformë gjermane të orëve me çmim mbi 2 mijë euro, ndërsa sipas faturës ishte blerë vetëm dy ditë më parë për 385 euro në qytetin e Shtutgartit./MXH
