Më shumë se gjashtë dekada pas “Bloody Sunday”, aktivistë të të drejtave civile dhe mbrojtës të votës në Selma të Alabamës thonë se beteja për akses të barabartë në kutinë e votimit ende nuk ka përfunduar.
Sipas tyre, një vendim i fundit i Gjykatës Supreme të SHBA-së lidhur me hartën zgjedhore të Luizianës ka rikthyer shqetësimet se mbrojtjet kryesore të Ligjit për të Drejtën e Votës po dobësohen, duke ringjallur thirrjet për garantimin e këtyre të drejtave në Selma, vendi simbol i lëvizjes për të drejtat civile.
Brenda zyrës së saj ligjore në Selma, aktivistja dhe avokatja Faya Rose Toure kujtonte këngët e lëvizjes për të drejtat e votës, duke thënë se sakrificat e asaj kohe ishin vendimtare për fitimin e të drejtave demokratike për afrikano-amerikanët në jug të SHBA-së.
Një tjetër figurë e lëvizjes, Betty Strong Boynton, e cila mori pjesë në marshimet historike të vitit 1965, kujtoi dhunën e “Bloody Sunday”, kur protestuesit u përballën me forcat e rendit në urën Edmund Pettus dhe u sulmuan gjatë marshimit.
Ajo tha se ajo ditë mbetet një nga më të vështirat e jetës së saj dhe se atëherë mendonte se nuk do të mbijetonte.
Aktivistë të tjerë në Selma thonë se angazhimi qytetar mbetet i domosdoshëm, duke bërë thirrje për organizim dhe mobilizim në komunitet për të mbrojtur të drejtat e votës.
Ndërkohë, udhërrëfyesja dhe aktivistja Barbara Barge shprehu shqetësimin se Shtetet e Bashkuara po humbasin terren në këtë drejtim, duke kritikuar institucionet për, siç tha ajo, dobësimin e progresit të arritur ndër vite.
Për shumë banorë të Selmës, kujtimet e “Bloody Sunday” mbeten jo vetëm histori, por edhe një paralajmërim dhe një thirrje për vazhdimin e betejës për të drejtat e votës në SHBA.
