Një flotilje anijesh me ndihma humanitare që po lundronte drejt Gazës është ndaluar nga forcat izraelite, me organizatorët që deklarojnë se të paktën 10 prej mjeteve detare janë marrë nën kontroll.
Aktivisti spanjoll Javier Aparicio, i cili ndodhej në bordin e anijes “Themis”, tha se pjesëtarët e flotiljes po shoqërohen drejt anijeve ushtarake, të cilat sipas tij ngjajnë me ato ku aktivistët ishin mbajtur gjatë një ndalimi të mëparshëm.
Ai kujtoi se ishte arrestuar më herët nga forcat izraelite gjatë një tjetër ndërhyrjeje ndaj flotiljes dhe më pas ishte liruar.
Sipas përfaqësuesve të flotiljes “Global Sumud”, anija ku ndodhej Aparicio u ndalua pak minuta pas intervistës së tij.
Pamje video të publikuara nga organizata tregojnë aktivistë me duart lart dhe telefonat e hedhur, ndërsa forcat detare afrohen për të hipur në bord.
Ministria e Jashtme e Izraelit deklaroi më herët se nuk do të lejojë shkeljen e bllokadës detare ligjore ndaj Gazës.
Anijet e flotiljes ishin nisur më 14 maj nga jugu i Turqisë, në një përpjekje të re për të dërguar ndihma humanitare, pas ndërhyrjeve të mëparshme të Izraelit në ujërat ndërkombëtare.
Organizatorët thanë se ndërhyrja e fundit u krye ndërsa anijet po i afroheshin zonës së bllokadës./mxh
