Kremlini deklaroi të hënën se Rusia ka pritshmëri të larta nga vizita e presidentit Vladimir Putin në Kinë këtë javë, duke theksuar se të dy vendet do të thellojnë më tej “partneritetin e tyre të privilegjuar”.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Moska pret rezultate të rëndësishme nga takimet e planifikuara në Pekin më 19 dhe 20 maj, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.
Putin pritet të zhvillojë vizitën e tij në Kinë vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi bisedime me presidentin kinez Xi Jinping.
Peskov tha se marrëdhënia mes Moskës dhe Pekinit, e cilësuar si një “partneritet pa kufij”, është forcuar ndjeshëm pas sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se delegacioni rus do të përfshijë zëvendëskryeministra, ministra dhe përfaqësues të kompanive kryesore shtetërore.
Ndër çështjet që pritet të diskutohen është edhe projekti i gazsjellësit “Power of Siberia 2”, i cili do të mund të transportonte sasi të mëdha gazi nga Rusia drejt Kinës përmes Mongolisë.
Sipas Kremlinit, në tryezë do të jenë të gjitha çështjet kryesore të agjendës ekonomike mes dy vendeve./mxh
