Britania është tronditur nga vdekja e 24-vjeçares ushtarake Ciara Sullivan, pjesëtare e njësisë elitare King’s Troop Royal Horse Artillery, e cila u plagos rëndë pas një rënieje nga kali gjatë Royal Windsor Horse Show, mbrëmjen e së premtes, sipas “Daily Mail”.
Sipas informacionit të publikuar, e reja ra nga kali rreth orës 19:00, pak pasi kishte dalë nga arena ku kishte marrë pjesë në një demonstrim përpara mbretit Charles III. Pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, ajo pësoi lëndime të rënda dhe vdekja e saj u konstatua në vendngjarje.
Familja dhe miqtë e saj kanë bërë homazhe të ndjera në kujtim të saj. Babai i saj, Pat Sullivan, publikoi një fotografi të saj në rrjetet sociale duke shkruar:
“Nderi. Shërbimi. Nuk do të harrohen kurrë.”
Nëna e saj, Wendy, në përgjigje të qindra mesazheve ngushëlluese, u shpreh:
“Faleminderit nga zemra që gjetët kohë të shkruani këto fjalë. Ajo bëri atë që donte.”
Komandanti i njësisë së saj e përshkroi Sullivan, e njohur nga kolegët si “Sully”, si “një prani e ndritshme në çdo ambient ku ndodhej”. Ai theksoi se ajo ishte një ushtarake shumë profesionale dhe një kalorëse e shkëlqyer, me energji pozitive dhe gjithmonë e gatshme të ndihmonte kolegët.
Sipas tij, ajo ishte një shembull për shumë ushtarë, një kalorëse pa frikë me talent natyral, e cila kishte përvojë në sportin e kërcimit me kuaj që në fëmijëri. “Kjo guxim natyror e bënte gjithmonë të parën që pranonte të hipte mbi kuajt më të vështirë”, u shpreh ai.
U theksua gjithashtu se 24-vjeçarja nuk shquhej vetëm për aftësitë në kalërim, por edhe për angazhimin e saj në ushtri. Ajo ishte një futbolliste e aftë, shumë e përkushtuar ndaj formës fizike dhe gjithmonë inkurajonte kolegët e saj. Si instruktore, ajo kishte kontribuar në trajnimin e ushtarëve të rinj të njësisë.
Në një deklaratë u tha se King’s Troop Royal Horse Artillery humbi “jo vetëm një ushtare dhe kalorëse të jashtëzakonshme, por një njeri që e bënte regjimentin dhe botën më të mirë vetëm me praninë e saj”.
Buckingham Palace njoftoi se mbreti Charles III ishte “thellësisht i tronditur dhe i pikëlluar” kur u informua për ngjarjen. Sipas një zëdhënësi, ai do të kontaktojë familjen për të shprehur personalisht ngushëllimet.
U sqarua gjithashtu se mbreti dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e incidentit, por nuk e kishin kuptuar menjëherë seriozitetin e situatës.
Karriera në ushtrinë britanike
Ciara Sullivan ishte bashkuar me ushtrinë britanike në nëntor 2020 dhe ishte trajnuar në Army Training Centre në Pirbright, përpara se të bashkohej me King’s Troop Royal Horse Artillery në qershor 2021.
Gjatë shërbimit të saj, ajo mori pjesë në disa ceremoni ushtarake dhe shtetërore, përfshirë nderimet me artileri në Hyde Park dhe Green Park, si dhe në operacionin “Op Bridge” për funeralin shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II në 2022, si dhe në “Op Golden Orb” për kurorëzimin e mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla në 2023.
Së fundmi, ajo kishte marrë certifikimin si instruktore e avancuar e kalërimit në regjiment dhe merrej me trajnimin e kuajve ushtarakë dhe ushtarëve të rinj.
Incidenti ndodhi vetëm disa orë pasi mbreti Charles III dhe Duka i Edinburgut kishin ndjekur aktivitetin. Royal Windsor Horse Show është një nga ngjarjet më të rëndësishme të familjes mbretërore britanike dhe një traditë e gjatë në kalendarin mbretëror.
Eventi u zhvillua për herë të parë në vitin 1943 dhe mbetet i vetmi rast kur hapen për publikun hapësirat private të Kështjellës Windsor./mxh
