Një aKtivist shqiptar raportohet se është në flotiljen e anijeve “Global Sumud”, që transportonin ndihma për Gazën. Flotilja Globale Sumud (GSF) tha se disa nga anijet e tyre u ndaluan nga forcat izraelite dhe se kishte humbur kontaktin me disa nga aktivistët që ishin në anije mes tyre dhe Baki Goxhaj.
Lidhur me rastin ka bërë një reagim për mediat Ministria për Punët e Jashtme dhe Evropën, ku thuhet se po komunikon me autoritetet izraelite për të siguruar informacion të plotë mbi situatën. Ministria ka bërë me dije se është në kontakt me familjen e Goxhajt dhe se do të japë detaje të tjera në vijim.
“Përmes kanaleve diplomatike, Ministria është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare. Ministria po e ndjek çështjen me prioritet të plotë dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e zotit Goxhaj, si dhe do të informojë në vijim mbi procedurat e mëtejshme që pritet të ndërmerren”, është shprehur zëdhënësi i ministrisë./mxh
