Makri, pjesë e grupit të ishujve Echinades në Detin Jon, do të dalë në ankand këtë nëntor me një çmim fillestar prej 247,000 eurosh, raporton gazeta greke THEMA.
Një vend ku mund t’u rikthehesh gjërave bazike, ishulli ka vetëm disa ndërtesa të braktisura, përfshirë një shtëpi të vogël, një cisternë uji dhe një kishëz.
Nuk do ta kesh të lehtë të bësh ndërtime apo përmirësime, pasi ishulli klasifikohet si tokë pyjore dhe gjithashtu është nën mbrojtjen e Natura 2000, rrjeti i zonave të mbrojtura në Bashkimin Europian.
Kjo do të thotë se lejohen vetëm “infrastrukturë minimale e lehtë” dhe aktivitetet bujqësore, sipas THEMA.
Makri ishte nxjerrë fillimisht në ankand në vitin 2022 me një çmim prej 8 milionë eurosh, por rivlerësimi i vlerës së tij nxori në pah kufizimet për investitorët potencialë që mund të kishin planifikuar ta shndërronin ishullin në një destinacion të ri turistik.
Ishuj të tjerë privatë që mund të rezervosh
Nëse dëshiron të përjetosh jetën në një ishull privat, nuk është e domosdoshme të blesh një të tillë.
Diku tjetër në Greqi, mund të marrësh me qira Turquoise Private Island në rivierën e Athinës. Me kapacitet për deri në 20 të ftuar, prona me 10 dhoma gjumi dhe tetë banjo arrihet me helikopter dhe përfshin shërbim personal me kujdestar dhe shef kuzhine privat.
Tagomago Island, i vendosur më pak se një kilometër larg Ibizës në Ishujt Balearikë të Spanjës, është gjithashtu i disponueshëm për rezervim. Vizitorët kanë përdorim ekskluziv të ishullit prej 600 mijë metrash katrorë, ku ndodhet një vilë me pesë dhoma gjumi, pishinë me ujë të kripur 17 metra, jacuzzi në ambient të hapur dhe palestër.
Stafi në dispozicion përfshin një menaxher ishulli që organizon shërbimet, një kuzhinier privat, kamerierë dhe staf mirëmbajtjeje.
Më larg, Maldivet ofrojnë disa opsione ishujsh privatë, ashtu si edhe Karaibet.
Necker Island, në pronësi të Richard Branson, është ndoshta më i famshmi. Mund të rezervosh të gjithë ishullin për qëndrimin tënd ose të prenotosh një dhomë individuale në data të caktuara./ Euronews-A.D
[i] “Deadzoning” është një term që përdoret për të përshkruar udhëtimet ose qëndrimet në vende ku nuk ka sinjal telefoni, internet apo lidhje dixhitale
[ii] “Digital detox” do të thotë të bësh një shkëputje të përkohshme nga pajisjet dixhitale si telefoni, rrjetet sociale, kompjuteri apo interneti, për të reduktuar stresin dhe varësinë nga teknologjia.
