Jonathan Andic, djali i madh i themeluesit të markës së njohur të modës “Mango”, Isak Andic, është liruar me kusht pasi pagoi një garanci prej 1 milion eurosh, pas arrestimit të tij nën akuzën për vrasjen e të atit.
45-vjeçari u paraqit para gjykatës së Martorellit, ku gjyqtari vendosi lirimin e përkohshëm të tij, duke vendosur një sërë masash sigurie.
Sipas mediave spanjolle, Jonathan Andic i është sekuestruar pasaporta dhe do të duhet të paraqitet çdo javë pranë autoriteteve gjyqësore deri në përfundim të hetimeve.
Arrestimi i tij shkaktoi bujë të madhe në Spanjë, pasi për muaj me radhë vdekja e Isak Andic ishte konsideruar si një aksident tragjik gjatë një ekskursioni në Montserrat, në dhjetor të vitit 2024.
Hetimet u rihapën pas daljes së provave të reja, ndërsa policia katalanase Mossos d’Esquadra analizoi edhe telefonin celular të 45-vjeçarit. Jonathan Andic ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e të atit, duke insistuar se biznesmeni ra aksidentalisht në një humnerë gjatë ecjes në mal.
Sipas dëshmisë së dhënë atëherë nga Jonathan Andic, ai po ecte disa metra përpara të atit kur dëgjoi shembjen e gurëve dhe pa biznesmenin të binte në greminë, pa mundur të ndalej apo të kapej diku.
Themeluesi i “Mango”, një nga figurat më të njohura të industrisë së modës në Spanjë, humbi jetën në moshën 71-vjeçare pasi ra nga një lartësi prej rreth 150 metrash në zonën malore të Montserratit, në Katalonjë./mxh
