Last Updated on 20/05/2026 by Anisa
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka komentuar procedurat e emërimit të Ols Dados si prokuror në vitin 2008, duke theksuar se procesi është zhvilluar sipas kuadrit ligjor dhe institucional të kohës.
Sipas Topit, në atë periudhë gara për emërimet në sistemin e Prokurorisë administrohej brenda vetë institucionit, përmes strukturave përkatëse dhe Këshillit të Prokurorisë.
“Historia është kjo: Çdo periudhë kohore ka ligjet e veta. Pra, bëhet fjalë për vitin 2008, në atë kohë institucioni i Prokurorisë që administronte garën për prokurorët e rinj, e administronte brenda institucionit të vet, e administronte nëpërmjet funksionimit të Këshillit të Prokurorisë, ku sipas ligjit dhe rregullave kishte një vend edhe për përfaqësuesin ligjor të institucionit të Presidentit,” u shpreh Topi.
Ai shtoi se e gjithë procedura përfundonte me një komunikim zyrtar nga Prokuroria drejtuar Presidencës, e cila më pas kryente dekretimin formal.
“E gjithë gara në atë kohë administrohej nga institucioni. Në përfundim të garës vinte një komunikim kushtetues formal nga institucioni i Prokurorisë për te Presidenti për të bërë dekretin. E gjitha është konsumuar sipas ligjit atje,” deklaroi ish-presidenti.
Deklarata e Topit vjen në një kohë kur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një padi pranë Gjykatës Administrative, ku kërkon shpalljen të pavlefshëm të emërimit të Ols Dados si prokuror. Sipas kërkesës padisë, pretendimi lidhet me mungesën e përfundimit të Shkollës së Magjistraturës në momentin e emërimit./A.D
