Last Updated on 20/05/2026 by Anisa
Ilir Meta ka reaguar sërish duke hedhur akuza ndaj tre prokurorëve të SPAK, të cilët sipas tij prej katër vitesh nuk kanë dërguar pyetjet e nevojshme në Departamentin Amerikan të Drejtësisë lidhur me çështjen e kontratës mes LSI dhe kompanisë GSIS.
Në një deklaratë publike, Meta thotë se një vendim i marrë nga një gjykatë në SHBA, që sipas tij ndalon përkohësisht dhënien e informacionit nga kompania GSIS për LSI-në deri më 23 qershor 2026, është përdorur në mënyrë të qëllimshme për ta penguar atë nga sigurimi i provave shfajësuese.
“Ky vendim ka shërbyer qëllimisht vetëm për të më pamundësuar mua të garantoj provat që më shfajësojnë nga akuzat,” shprehet Meta.
Ai rendit një sërë pyetjesh që sipas tij SPAK duhet t’ia kishte adresuar autoriteteve amerikane, duke kërkuar dokumente mbi përfundimin e marrëveshjes, identifikimin e personave të përfshirë, si dhe gjithë produktin e punës së GSIS për LSI-në.
Sipas Metës, hetimi duhet të sqarojë gjithashtu nëse ka pasur ndryshime në kontratë, transferime apo nënkontraktime, si dhe të verifikohen faturat dhe pagesat mes palëve.
“Vetëm transparenca mund të garantojë legjitimitetin e procesit,” theksoi ai, duke shtuar se nëse këto të dhëna nuk sigurohen, atëherë sipas tij SPAK “nuk ka pasur interes për të zbardhur të vërtetën, por ka shërbyer një lojë politike”.
Meta iu referua gjithashtu edhe një rasti të mëparshëm të rrëzuar, duke pretenduar se një akuzë për lobim është përdorur politikisht ndaj tij dhe është publikuar me vonesë.
Deklarata e tij vjen në vijim të përplasjeve të vazhdueshme me Prokurorinë e Posaçme dhe debatit publik mbi hetimet që lidhen me çështje të ndryshme politike dhe financiare./A.D
