Sipërmarrësi shqiptar Petrit Kllokoqi ka arritur një sukses të rëndësishëm në alpinizëm duke u ngjitur në majën e Everestit, 8,848 metra mbi nivelin e detit, maja më e lartë në botë.
Në momentin simbolik të mbërritjes në “çatinë e botës”, Kllokoqi valëviti flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës, duke e konsideruar këtë arritje si një moment krenarie kombëtare dhe personale.
Në një intervistë për emisionin “Ora Shtatë”, ai ka rrëfyer emocionet e forta të përjetuara gjatë ekspeditës ekstreme, duke theksuar se mendimi i vetëm gjatë ngjitjes ishte që flamujt shqiptarë të ngriheshin në majë të Everestit. Sipas tij, momenti i mbërritjes ishte tejet emocional, deri në pikën që nuk arriti t’i mbante lotët.
“E kemi parë vdekjen me sy shpeshherë, isha në mes dy botëve. Në telefon e kam foton e çikës tem, shpesh e kam shiku”, u shpreh ai, duke përshkruar vështirësitë dhe ngarkesën emocionale të ekspeditës.
Ngjitja e Everestit mbetet një nga sfidat më ekstreme në botën e alpinizmit, për shkak të mungesës së oksigjenit, temperaturave shumë të ulëta dhe kushteve të rrezikshme atmosferike. Kllokoqi ka treguar më herët se gjatë përgatitjeve dhe ngjitjes ka humbur peshë dhe se faza më e vështirë ka qenë e ashtuquajtura “summit push”, ngjitja finale drejt majës.
Në këtë kontekst, emri i alpinistes kosovare Uta Ibrahimi përmendet shpesh si një nga figurat më të njohura shqiptare në alpinizëm, e cila më herët ka arritur gjithashtu majën e Everestit si pjesë e projektit të saj për ngjitjen e majave më të larta të kontinenteve.
Ky sukses i Kllokoqit shton edhe një tjetër arritje në historinë e alpinistëve shqiptarë në një nga majat më të vështira dhe më të rrezikshme të botës./A.D
