Nikki Glaser ka tërhequr vëmendjen me një deklaratë të pazakontë për raportin me partnerin e saj prej vitesh, producentin Chris Convy.
E ftuar në podcast-in e Gwyneth Paltrow, komediania amerikane foli pa komplekse për mënyrën si funksionon marrëdhënia e tyre, duke pranuar se nuk ndihet xheloze nëse partneri i saj tërheq vëmendjen e grave të tjera.
Sipas saj, ajo nuk e ka problem flirtin apo afrimitetin e Chris me gra të tjera, për sa kohë që ato e dinë se ai është i përkushtuar ndaj saj dhe nuk ka ndërmend ta lërë marrëdhënien që kanë ndërtuar bashkë.
Nikki tregoi se situata të tilla kanë ndodhur edhe më parë dhe, në vend që ta bëjnë të pasigurt, i krijojnë një ndjesi emocionuese. Ajo tha se fakti që partneri i saj konsiderohet tërheqës nga të tjerat e bën ta shohë atë edhe më interesant.
“E di që është një mashkull shumë tërheqës dhe nuk më shqetëson që gratë e tjera e vënë re”, u shpreh ajo gjatë bisedës, duke ruajtur tonin karakteristik me humor.
Megjithatë, komediania sqaroi se nuk bëhet fjalë për një lidhje plotësisht të hapur. Ajo theksoi se vetë nuk është e interesuar për aventura jashtë marrëdhënies dhe se në një raport serioz zgjedh besnikërinë.
Edhe në podcast-in “Call Her Daddy”, Nikki kishte folur për mënyrën si e sheh dashurinë dhe marrëdhëniet, duke treguar se preferon një lidhje të qëndrueshme, pavarësisht dinamikave jo tradicionale që mund të ketë me partnerin.
E njohur për sinqeritetin dhe humorin e saj pa filtra, Nikki Glaser vazhdon të flasë hapur për tema që lidhen me jetën intime dhe marrëdhëniet personale./mxh
