Mbretëria e Bashkuar ka nënshkruar një marrëveshje të shumëpritur tregtare me gjashtë vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), duke shënuar marrëveshjen e parë të këtij lloji mes bllokut dhe një vendi të Grupit të Shtatë (G7).
Marrëveshja përfshin Bahreinin, Kuvajtin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritet të sjellë përfitime ekonomike, edhe pse të kufizuara, për ekonominë britanike.
Sekretari britanik për Biznesin dhe Tregtinë, Peter Kyle, e ka cilësuar marrëveshjen si një sinjal besimi në një kohë pasigurie globale.
“Në një kohë paqëndrueshmërie në rritje, ky njoftim dërgon një sinjal të qartë besimi”, u shpreh ai.
Sipas marrëveshjes, do të hiqen tarifat me vlerë rreth 580 milionë paund (778 milionë dollarë) për eksportet britanike drejt vendeve të Gjirit, duke përfshirë produkte ushqimore, pajisje mjekësore dhe mallra të prodhimit të avancuar.
Kryeministri britanik Keir Starmer i ka quajtur shtetet e Gjirit “partnerë të çmuar ekonomikë”, duke theksuar se marrëveshja thellon marrëdhëniet mes palëve dhe hap mundësi të reja për tregti dhe investime./mxh
