Romanca mes Kendall Jenner dhe Jacob Elordi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, ndërsa burime pranë çiftit tregojnë se marrëdhënia e tyre po forcohet ndjeshëm.
Sipas raportimeve të “Page Six”, udhëtimi që ata kaluan së bashku në Hawaii ka qenë një pikë kthese për supermodelen dhe aktorin australian. Burimi pranë tyre tregon se Kendall nuk e kishte menduar se do të krijonte kaq shpejt një lidhje emocionale me Jacob, por koha e kaluar bashkë i ka afruar shumë.
“Ata krijuan një afërsi të veçantë gjatë pushimeve dhe marrëdhënia mori një tjetër drejtim,” tha burimi, duke shtuar se gjërat mes tyre po bëhen më serioze seç pritej.
Thuhet se Kendall po e shijon këtë raport, sidomos faktin që gjithçka po zhvillohet pa presion dhe në mënyrë të natyrshme. Sipas të njëjtit burim, edhe familjarët dhe miqtë e saj e kanë vënë re lumturinë që ajo po përjeton pranë Elordit.
Në javët e fundit, çifti është parë shpesh në shoqërinë e Kylie Jenner dhe Timothée Chalamet. Ata u fotografuan së fundmi gjatë një darke në Los Angeles, ku dukeshin shumë komodë pranë njëri-tjetrit.
Burimet tregojnë gjithashtu se Kendall dhe Kylie po kalojnë një periudhë të bukur, pasi partnerët e tyre janë përshtatur lehtësisht me jetën dhe rrethin e tyre shoqëror.
Për Jacob Elordin flitet se ka krijuar përshtypje shumë pozitive te njerëzit pranë Kendall-it, duke u cilësuar si i sjellshëm, i qetë dhe shumë respektues.
Megjithatë, modelja po ecën me kujdes në këtë histori dashurie. Ajo njihet për natyrën e saj private dhe nuk preferon të nxitojë në marrëdhënie serioze, veçanërisht me dikë që ka qenë pjesë e rrethit të saj prej kohësh.
Kendall dhe Jacob njihen prej vitesh përmes miqve të përbashkët, por duket se vetëm muajt e fundit raporti i tyre ka marrë një kthesë romantike.
Më herët, Kendall Jenner është lidhur me emra si Devin Booker, Bad Bunny dhe Harry Styles, ndërsa Jacob Elordi ka qenë në qendër të vëmendjes për romancat me Kaia Gerber dhe Olivia Jade./mxh
