Kënga ikonike “Billie Jean” e Michael Jackson ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm dekada pas publikimit të saj, duke u rikthyer në majën e klasifikimeve muzikore globale.
Sipas Billboard Global 200, hiti legjendar ka zënë vendin e parë në renditjen botërore, duke realizuar një nga rikthimet më të rralla dhe më të suksesshme në historinë e muzikës.
Vetëm pak javë më parë, kënga ndodhej shumë më poshtë në listë, por interesi për të është rritur ndjeshëm, duke e çuar gradualisht drejt kreut të chart-it.
Rikthimi i madh i “Billie Jean” lidhet edhe me interesin e krijuar nga filmi biografik “Michael”, i cili aktualisht po korr sukses në kinematë ndërkombëtare dhe ka dominuar arkën filmike në SHBA për disa javë radhazi.
Të dhënat e fundit tregojnë se kënga ka grumbulluar mbi 51 milionë dëgjime globale brenda një jave, ndërsa vazhdon të mbetet një nga projektet më të kërkuara në platformat muzikore.
Me këtë arritje, Michael Jackson shënon për herë të parë vendin e parë në Billboard Global 200, edhe pse artisti u nda nga jeta në vitin 2009.
Një tjetër rekord i rëndësishëm lidhet me kohën që iu desh këngës për të arritur majën e klasifikimit. “Billie Jean”, pjesë e albumit legjendar “Thriller” të vitit 1982, është bërë kënga që ka marrë më shumë javë për t’u ngjitur në vendin e parë, duke e arritur këtë sukses pas 144 javësh prezencë në chart./mxh
