Gjatë diskutimit u ndal edhe te protesta me çadër e organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, për të cilën Shehaj u shpreh kritik, duke deklaruar se protesta ishte braktisur nga qytetarët. Ai mohoi të kishte ndonjë konflikt personal me Adriatik Lapajn, por tha se nuk beson te projekti i tij politik dhe te mënyra se si ai drejton lëvizjen.
“Unë nuk kam asnjë mllef personal. Zero. Por nuk kam besim tek projekti politik dhe tek ai si lider partie”, deklaroi Shehaj.
Deputeti i Partisë Mundësia bëri dallimin mes Lapajt dhe kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, duke thënë se megjithëse kanë bindje të kundërta ekonomike, me Qorin nuk ka probleme personale apo politike.
“Ne mendojmë ndryshe. Unë besoj se shqiptarët duan një mundësi larg shtetit, sepse sa më i madh të jetë shteti dhe sa më shumë të fusë duart në jetën e qytetarëve, aq më keq është, sidomos në Shqipëri”, u shpreh ai.
Shehaj mbrojti modelin e ekonomisë së lirë dhe një shteti më të vogël, duke argumentuar se ndërhyrja e tepërt shtetërore pengon zhvillimin dhe iniciativën individuale.
Në debat, Nikoll Lesi sugjeroi se forcat opozitare duhet të bashkohen për të larguar nga politika Edi Ramën dhe Sali Berishën, por Shehaj tha se kjo nuk mjafton për qytetarët shqiptarë.
“Kjo nuk është e mjaftueshme. Njerëzit duan alternativë, nuk duan thjesht urrejtje ndaj Berishës dhe Ramës”, deklaroi ai.
Pjesë nga diskutimi
Lesi: Paske një mllef të madh ndaj Lapajt!
Shehaj: Jo tani gabon, sepse nuk kam asnjë mllef. Zero. Unë nuk kam besim tek projekti politik dhe tek ai si lider partie. Më the për Arlind Qorin, dhe ky ndryshe nga Lapaj, edhe pse ky më sulmon vazhdimisht sepse më quan ”kapitalist”, që shfrytëzon punonjësit dhe kështu me rradhë, por me të nuk kam asnjë problem.
Ne mendojmë në forma të ndryshe. Unë mendoj që shqiptarët presim, duan një mundësi larg shtetit, sepse sa më i madh është shteti dhe sa më shumë të fusi duart në jetën e qytetarëve, aq më keq është, sidomos në Shqipëri. Unë jam për një sistem ku shtyjmë njerëzit që të punojnë, ekonomia e lirë, dhe sa më pak shtet.
Lesi: Duhet të bashkoheni që të rrëzoni Berishën dhe Ramën!
Shehaj: Kjo nuk është e mjaftueshme. Njerëzit duan alternativë, nuk duan thjesht urrejtje ndaj Berishës dhe Ramës…/A.D
