Last Updated on 21/05/2026 by EL
Operacionet kundër drogës ndaj personazheve të njohur në Turqi po vazhdojnë.
Sipas një deklarate të Prokurorisë së Bakırköy-t, në kuadër të hetimeve për përdorim dhe trafik droge ndaj figurave publike, është lëshuar urdhër ndalimi për 25 persona.
Mes emrave për të cilët është dhënë masa e ndalimit janë këngëtari i njohur si Mabel Matiz, emri i vërtetë i të cilit është Fatih Karaca, këngëtari Tan Taşçı, si dhe aktorët Serenay Sarıkaya, Feyza Civelek dhe Onur Tuna.
Sipas organit hetues, janë sekuestruar një sasi e madhe kokaine që tentohej të futej në vend përmes rrugës detare, pa arritur në tokë, si dhe janë zbuluar vende prodhimi të lëndëve narkotike dhe janë arrestuar shumë shpërndarës droge në zona të ndryshme të Stambollit.
Gazetari Mirgün Cabas, për të cilin është dhënë urdhër ndalimi, deklaroi në rrjetet sociale se ndodhet në Izmir për shkak të vdekjes së babait të tij dhe se avokatët po kontaktojnë me organet hetimore.
Këngëtari Tan Taşçı mohoi akuzat përmes një postimi në rrjetin X:
“E nisëm ditën me lajme të pavërteta dhe absurde. Unë jam në shtëpi dhe pas pak do të nisem për në Izmir për koncertet e mia. Ju lutem mos u besoni këtyre lajmeve.”
Çfarë ka ndodhur më parë?
Më 18 dhjetor 2025, në kuadër të një operacioni të gjerë antidrogë të koordinuar nga Prokuroria e Stambollit, në orët e para të mëngjesit u zhvilluan kontrolle të njëkohshme në adresat e shumë personazheve të njohur.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga Xhandarmëria e Stambollit, u ndaluan këngëtarja Aleyna Tilki, aktorja İrem Sak, influencerja Danla Bilic dhe Mümine Senna Yıldız. Katër emrat u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore për marrjen e mostrave biologjike dhe më pas u liruan.
Në kuadër të hetimeve, u lëshuan gjithashtu urdhra ndalimi për aktoren Melisa Döngel, këngëtarin Yusuf Güney dhe figurën e rrjeteve sociale Cihan Şensözlü, por ata nuk u gjetën në adresat e tyre gjatë kontrolleve. Për Şeyma Subaşı, Şevval Şahin dhe Mert Vidinli, të cilët ndodheshin jashtë vendit, u lëshuan urdhra arresti.
Operacionet vazhduan edhe gjatë janarit dhe shkurtit 2026, ku u përfshinë shumë emra të njohur nga muzika, televizioni, sporti dhe rrjetet sociale. Disa prej tyre u arrestuan, ndërsa të tjerë u liruan me masa kontrolli gjyqësor ose ndalim daljeje jashtë shtetit.
Sipas mediave turke, në disa raste analizat e flokëve, urinës dhe gjakut të personave të ndaluar rezultuan pozitive për kokainë./et
