Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se tregu global i naftës mund të hyjë në një “zonë të kuqe” gjatë muajve korrik dhe gusht, për shkak të rritjes së kërkesës dhe pakësimit të rezervave.
Drejtori i agjencisë, Fatih Birol, deklaroi në Londër se rezervat aktuale të naftës po konsumohen gradualisht, ndërsa eksportet e reja nga Lindja e Mesme mbeten të kufizuara për shkak të krizës së lidhur me Iranin.
Sipas Birol, situata mund të bëhet më problematike me afrimin e sezonit veror të udhëtimeve, periudhë gjatë së cilës konsumi global i karburanteve zakonisht rritet ndjeshëm.
Ai krahasoi rezervat strategjike me para që shpenzohen pa pasur të ardhura të reja, duke paralajmëruar se stoqet po shkojnë drejt fundit.
I pyetur se çfarë nënkupton me termin “zonë e kuqe”, Birol u përgjigj shkurt: “Një zonë që është e kuqe.”
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, bota hyri në krizën aktuale të furnizimit me naftë me një tepricë rezervash, çka ndihmoi në përballimin fillestar të goditjes në tregje. Megjithatë, këto rezerva po bien gradualisht.
Në muajin mars, 32 vendet anëtare të agjencisë koordinuan lirimin e 400 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike, ndërhyrja më e madhe e këtij lloji në histori. Aktualisht, këto furnizime po hidhen në treg me një ritëm prej rreth 2.5 deri në 3 milionë fuçi në ditë.
Birol shtoi se agjencia mbetet e gatshme të koordinojë lirime të tjera rezervash nëse situata në tregun global përkeqësohet më tej./mxh
