Zhytës finlandezë të organizatës DAN Europe janë përpjekur të hedhin dritë mbi rastin tragjik të vdekjes së pesë zhytësve italianë në Maldive.
Sipas ekspertëve, një kombinim faktorësh fatalë mund të ketë çuar në çorientimin dhe vdekjen e tyre, pasi hetimet paraprake tregojnë se zhytësit mund të jenë mashtruar nga vetë konfigurimi i shpellës dhe një iluzion optik i krijuar nën ujë.
Ngjarja ndodhi pranë Alimatha, në një shpellë që arrihet pas një zhytjeje në rreth 50 metra thellësi. Sipas ekspertëve, hyrja të çon fillimisht në një ambient të madh dhe të ndriçuar, me fund ranor.
Në fund të tij ndodhet një korridor rreth 30 metra i gjatë që të çon në një dhomë të dytë më të thellë dhe krejtësisht të errët. Pikërisht aty dyshohet se ndodhi konfuzioni fatal.
Ekspertët shpjegojnë se pranë daljes së korridorit ndodhet një grumbull i madh rëre i krijuar nga lëvizjet e ujit, i cili në kushte të caktuara mund të duket si një mur dhe të fshehë rrugën e kthimit. Nga ana tjetër ekziston edhe një korridor tjetër pa dalje, ku u gjetën trupat e pesë italianëve.
“Duket sikur ata ngatërruan daljen dhe hynë në tunelin e gabuar”, deklaroi Laura Marroni, drejtoreshë ekzekutive e DAN Europe.
Sipas saj, nëse ky skenar rezulton i saktë dhe zhytësit kishin ndjekur korridorin e gabuar duke ngatërruar daljen, atëherë do të ishte shumë e vështirë të ktheheshin, sidomos me furnizimin e kufizuar me ajër, thuhet në raportimin e La Repubblica.
Zhytësit përdornin bombola 12-litërshe dhe në atë thellësi kishin vetëm pak minuta kohë për t’u rikthyer në sipërfaqe.
“Flasim për rreth 10 minuta, ndoshta edhe më pak. Në momentin që kupton se je në rrugën e gabuar dhe ajri po mbaron, paniku është i pashmangshëm”, u shpreh Marroni.
Autoritetet në Maldives po hetojnë gjithashtu se si zhytësit u lejuan të zbresin në afro 60 metra thellësi, ndërkohë që për turistët limiti i lejuar është 30 metra./mxh
