Gazetari Klodian Tomorri ka komentuar raportin e IBAR-it në lidhje me ecurinë e Shqipërisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se perspektiva europiane e vendit është e pandryshueshme, por ajo varet nga cilësia e qeverisjes dhe zhvillimet politike në vend.
I ftuar në emisionin Task Force, Tomorri u shpreh se rruga drejt BE-së mbetet e hapur, por sipas tij, situata ndikohet nga mënyra se si qeveriset vendi dhe nga perceptimet për funksionimin e institucioneve dhe procesit zgjedhor.
Sipas gazetarit, kryeministrit Edi Rama nuk i intereson fare se çfarë shkruhet në raporte, pasi edhe vetë i pranon ato që thuhen, por shqetësimi i gazetarit është se Rama mund të bëjë një tjetër lëshim si ai me imunitetin.
“Sigurisht që e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Çështja është çfarë qeverie ke ti përballë. Në qoftë se ti pranon një qeveri e cila e ka shndërruar vendin në një narkoshtet, nuk bën zgjedhje, ka instaluar regjim, ka korrupsion në nivel galopant, atëherë situata ndryshon.
Shiko në çfarë pozicioni e vë opozitën gjithë kjo që ndodh. Opozita filloi të krijonte një diskurs që IBAR-i është plagosur, IBAR-i është kështu, IBAR-i ashtu. Ndërkohë që sot na ndodhi kjo, doli që IBAR-i kaloi. Tani do rrimë e do fillojmë retorikën e kushteve, e na kanë vënë kushte, s’na kanë vënë kushte.
Nuk i intereson Edi Ramës se çfarë shkruajnë ata nëpër raporte fare. Madje ai e pranon dhe vetë atë. Çështja është se unë mendoj që rrugës ai do bëjë edhe ndonjë lëshim tjetër, edhe për atë që po flisnim për çështjen e imunitetit, dhe burimet janë që e ka deklaruar që kjo rrugë e ka marrë punën.
Çfarë fiton Shqipëria me këtë? Kjo është ajo që nuk ndryshon asgjë. Ti vazhdon të kesh qeverisje, vazhdon të jesh ekonomi e dominuar apo ekonomi ku krimi ka marrë pozitë dominuese. Vazhdon të jesh një vend ku është instaluar regjim dhe ku me zgjedhje ka pak, për të mos thënë aspak mundësi që të përmbyset dhe të krijohet rotacioni politik. Ja pra, kjo është’, u shpreh gazetari Klodian Tomorri./mxh
