Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe mbi 20 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, pasi reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje katastrofike në rajonet qendrore dhe jugperëndimore të Kinës.
Situata ka detyruar ekipet e emergjencës të ndërmarrin operacione masive kërkim-shpëtimi për të arritur te qindra banorë të bllokuar nga rritja e shpejtë e nivelit të ujit. Në zonën Changming të provincës Guizhou, ekipet e shpëtimit arritën të evakuojnë dy të moshuar, të cilët kishin mbetur të izoluar në katin e sipërm të banesës së tyre, pasi ujërat kishin përmbytur plotësisht katin përdhes.
Sipas mediave shtetërore kineze, ekipet e emergjencës kaluan nëpër ujëra të thella për t’u siguruar jelekë shpëtimi të moshuarve dhe më pas përdorën një shkallë për t’i nxjerrë ata brenda më pak se 15 minutash.
Ndërkohë, në provincën Hubei, pamjet tregojnë lumin Bailushui që ka dalë nga shtrati, duke përmbytur lagjet përreth dhe duke bllokuar rrugët pranë fshatit Baishui River në qarkun Xuan’en.
Ekipet e shpëtimit u detyruan të përshkonin në këmbë një rrugë prej 3 orësh për të arritur në komunitetin e izoluar dhe për të nisur evakuimet./mxh
